Emisari Miroslav Lajçak dhe Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u dakorduan në Bratisllavë për deeskalimin e situatës në Veri. Një nga katër hapat ishte edhe reduktimi i 25 për qind të Policisë në dhe rreth ndërtesave komunale. Që nga arritja e marrëveshjes deri më tani dy herë është dhënë urdhri që të tërhiqen nga 25 për qind e policëve. Tërheqja e fundit janë bërë pothu 3 javë dhe ende nuk ka pasur njoftim për tërheqje.
Më 10 korrik, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ishte takuar me emisarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ata u morën vesh për katër hapat për depërshkallëzimin e situatës në Veri, përfshirë tërheqjen e policisë në dhe rreth objekteve komunale.
Menjëherë pas dakordimit në kryeqytetin sllovak ishte bërë e ditur se ulja e mëtejme e numrit të policëve mund të ndodh pas 2 javësh nëse konstatohet se janë krijuar kushtet në bazë të vlerësimit të Policisë, KFOR-it dhe EULEX-it.
Deri më tash, dy herë është bërë reduktimi i policisë në komunat veriore. Tërheqja e parë u bë më 12 korrik, ndërsa e dyta më 4 gusht.
Që nga tërheqja e dytë janë bërë pothuajse tri javë, mirëpo ende nuk është lëshuar ndonjë njoftim se Policia e Kosovës ka ndërmarrë një veprim të tillë.
Për tërheqjen e fundit kishte njoftuar Policia e Kosovës, duke thënë se kanë mbajtur një takim punues dhe koordinues me KFOR’in dhe EULEX’in.
Sipas vlerësimit të përbashkët të tre palëve, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë.
Ndërkaq në fund të komunikatës thuhej se PK, EULEX’i dhe KFOR’i do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës.
Për situatën në Veri, kryeministri Kurti dje ka folur me homologun e tij grek, Mitsotakis. Në komunikatën e ZKM’së thuhet se Kurti e kujtoi që pas dakordimit në Bratisllavë nuk ka pasur asnjë incident dhe protestë e dhunshme.
“Kujtoi që pas dakordimit të Bratislavës po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës. Pra kemi një situatë të de-eskaluar e ku fokusi duhet të jetë tek parandalimi i ri-eskalimit nga elementë të dhunshëm”, thuhej në komunikatën e ZKM’së.
Mirëpo Kurti e sheh të rëndësishëm parandalimin e ri-eskalimit të situatës në Veri. Ai sot në mbledhjen e Qeverisë tha se kur s’ka protesta të dhunshme të organizuara nga Beogradi zyrtar, nuk ka eskalim në Veri.
“Tani duhet parandaluar ri-eskalimi. Kur s’ka protesta të dhunshme të planifikuara, të organizuara nga Beogradi zyrtar, nuk ka eskalim në veriun e Kosovës. Kosova është gjithashtu duke zbatuar me përpikmëri dakordimin e arritur në Bratisllavë me 10 korrik të këtij viti”, tha Kurti.
Situata në Veri u tensionua kur kryetarët e rinj të zgjedhur, nën përcjelljen e Policisë, hynë në objektet komunale, e më pas qytetarët serbë protestuan duke sulmuar gazetarë, pjesëtarë të Policisë e KFOR’it.
Aktualisht, Kosova është duke punuar për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Veri. Tashmë kanë nisur procedurat për hartimin e udhëzimit administrativ që do t’ia mundësonte qytetarëve serbë të iniciojnë një peticion për largimin e kryetarëve.