Një vendim i Komunës së Prishtinës për mbylljen e disa rrugëve dhe rrugicave ka nxitur reagime të ndryshme nga qytetarët.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vendosur se rrugët “Rexhep Luci” nga tuneli deri te Sheshi dhe “Qamil Hoxha” nga kthesa e rrugës deri tek Sheshi, do të mbyllen për qarkullimin e mjeteve motorike.
Pjesë e mbylljes për qarkullimin e mjeteve motorike janë edhe rrugët e rrugicat të cilat kalojnë dhe dërgojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Kombëtare.
Vendimi i firmosur nga vetë Rama hyn në fuqi nga 1 shtatori. Komuna e Prishtinës njoftoi më 21 gusht se kjo do të bëhet për shkak të punimeve të cilat do të bëhen në shtrimin e këtyre rrugëve në kalldrëm.
Megjithatë, ndaj këtij vendimi të Ramës janë ngritur dilema dhe disa shqetësime prej qytetarëve.
Njohësi i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, pyeti nëse Komuna e Prishtinës po punon për biznese dhe kundër qytetarëve të saj.
“Ndoshta po, e ndoshta jo. Fjala është tek rasti i Parkut të Biblotekës. Sot Komuna e Prishtinës pa asnjë diskutim publik me qytetarët që kam lexuar, vendosi me e mbyllë oborin e biblotekës. Arsyetimi ishte që dëshiron me e renovuar. Ok, në parim është ok, pse mos me rregulluar edhe atë park, edhe pse aty ka mjaftë gjelbrim”, shkroi ai të martën në një postim në Facebook.
Ai ka treguar se mbrëmë e ka vizituar parkun për ta parë nga afër se si është puna, teksa shpjegon se aty kanë qenë rreth 200 makina të parkuara.
“Sonte kam shkuar me vizitu parkun dhe me pa si është puna. Kam vërejtur (dhe numëruar) që aty kanë qenë rreth 200 makina të parkuara. Mesiguri ditën përdoret për nevojat e fakulteteve e biblotekës e pasdite dhe vikendeve për qytetarët për parkim. Aty është ndërtuar parkingu privat, 1 euro ora”.
“Në këtë kontekst, gjëja e parë që kam menduar është (a) A ka mundësi me u rregulluar e renovuar parku, por makinat e qytetarëve me i leju me u parku edhe pas renovimit? Pse jo, aty është pronë publike e qytetarëve, jo e privatit. Ndoshta edhe mundet, pse nuk mundet.. kjo duhet të kjartësohet. (b) Kur kam parë parkingun privat e kam parë që shumicën e kohës nuk ka qenë në kapacitet të plotë i mbushur”, shtoi ai.
Muharrremi, pyeti se a ka mundësi që Komuna e Prishtinës ta mbyllë oborrin e bibliotekës për makina publike, në mënyrë që qytetarët të detyrohen të parkohen në parkingje private.
Një gjë e tillë, siç thotë ai, duhet të qartësohet, transmeton Paparaci.
“Shtrohet pyetja, a ka mundësi që komuna po i mbyllë oborin e biblotekës për makina publike që qytetarët me u detyruar me parku tek privati? Ndoshta po, ndoshta jo.. Kjo duhet të kjartësohet. Gjëja e duhur është me i pyet qytetarët ngapak se çfarë është më mirë për ta. Gjithashtu kishte qenë mirë me i konsultuar profesionistët e fushës me i pyet rreth kësaj pune, se cfarë mendojnë ata që është më mirë”.
“Ok, unë si qytetar kam të drejtë me ngritë dyshimet e mia dhe me kërku më shume debat e diskutim publik për vedimet e mëdha. Tash dikush tjetër mundet me thanë që edhe disa rrugë janë mbyllur e janë ri-orientuar me i shërby interesave private. Ndoshta kaosi i trafikut po rëndohet pasiqë po shiqohet më shumë intersi privat sesa i qytetarëve”, shtoi ai.
Sipas tij, “puna me parkingje nuk është bërë mirë nga komuna”.
“Pikë së pari ju kanë shkuar njerëzve para banesave dhe kanë filluar të ju marrin taksa. Çfarë nevoje patën? Kuptoj kur është e nevojshme me rregulluar funksionalitetin e trafikut, por ka shumë raste kur janë instaluar parkingje me pagesë pa pasur nevojë”, tha ai.
Mes tjerash, ai sqaron se politikat publike duhet fillimisht t’i shërbejnë qytetarëve, pastaj të tjerëve.
“Mos të harrojmë që ndoshta unë jam idhëtari më i madh këtu me i përkrahë dhe ndihmuar bizneset me u rritë dhe zhvillu… e me fitu më shumë. Por jo, asesi, në dëm të qytetarëve.
Janë disa tema e punë që nuk bëhen krye në veti dhe duhet diskutim publik parase me i vendosë. Me vendosë në dobi të qytetarit fillimisht e pastaj të tjerëve”, tha ai.