Eurodeputetja Viola von Cramon tha se takimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me presidentin serb Aleksandar Vuçiq mund të jetë zhvilluar për një marrëveshje mbi armët në këmbim që Ukraina të vazhdojë të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.
Ajo shpërndau një postim në Twitter të deputetit ukrainas Oleksiy Goncharenko, i cili tha se Ukraina s’duhet të kompromentojë parimet e saj dhe se duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, raporton Express.
“Saktë: ka shumë gjasa që Aleksandar Vuçiq ra dakord të takohet me Volodymyr Zelenskyn për të ushtruar kryesisht presion mbi Ukrainën: armët për mosnjohjen e Kosovës. Unë shpresoj se Zelensky kupton se çfarë rreziku politik mund të sjellë një marrëveshje e tillë. Pavarësia e Kosovës dhe stabiliteti janë gjithashtu në interes të Ukrainës”, shkroi von Cramon në Twitter.
Zelensky është takuar sot me Vuçiqin në Athinë në kuadër të një darkë joformale që e ka organizuar kryeministri grek.
Vuçiq në një postim në Instagram ka thënë se me Zelenskyn ka folur edhe për situatën në Kosovë.
“Ia shpjegova situatën rreth Kosovës. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim në pozicionin e Ukrainës në lidhje me integritetin tonë territorial. Ne e mbështetëm Ukrainën në rrugën e saj evropiane”, ka thënë Vuçiq.