Të hënën, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj ka lansur një fushatë për promovimin e aseteve të trashëgimisë kulturore të qytetit. E titulluar “E du Prizrenin”, fushata synon ta promovojë qytetin dhe trashëgiminë e tij në sytë e vizitorëve dhe turistëve të huaj.
“Bëhuni gati për të nisur një udhëtim nëpër kohë teksa e nisim fushatën e promovimit të Trashëgimisë Kulturore të qytetit!” ka shkruar Totaj, duke postuar edhe identitetin e fushatës.
“Qyteti ynë është i zhytur në histori, art dhe tradita që kanë formësuar atë që jemi sot. Bashkohuni me ne për ta promovuar trashëgiminë tonë të pasur kulturore dhe potencialin e tanishëm të zhvillimit të një qyteti që bashkëjeton me të kaluarën dhe të ardhmen! E du Prizrenin është slogani i kësaj fushate që si qëllim ka promovimin e qytetit tonë në sytë e vizitorëve”, ka shkruar ai.
Kjo fushatë mbështetet nga Komuna e Prizrenit dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP), dhe ka për qëllim të nxitë vizitorët të postojnë më shumë në rrjetet sociale për asetet historike duke i vizituar ato.
Ata duhet të kyqen përmes faqes www.eduprizrenin.com ku do të mësojnë më shumë për historikun e aseteve të çmuara të Prizrenit, si dhe në lokacionet historike ku do të kyqen përmes QR code të vendosur në tabelat informuese.