Në vendin tonë, fatkeqësisht, rrallëherë librat bëhen kryetemë. Të hënën megjithatë, u bënë. Por, për të keq. Sërish.
Ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, në një adresim mediatik konfirmoi se nuk ishte arritur marrëveshja me shtëpitë botuese për librat shkollorë të vitit të ri që nis hiç më larg se pas dhjetë ditësh.
Ajo dha sinjal se një opsion që po shqyrtohet është ai i rimburësimit për prindërit, me këta të fundit që duhet t’i blejnë vetë librat.
Shkak për këtë sipas ministres Nagavci është çmimi i lartë i tyre i ofruar nga shtëpitë përkatëse botuese.
Reagimet ishin me qindra, në rastin më të butë, ndërsa u deklaruan edhe disa prej botuesve, siç ishte rasti me Dukagjinin.
Kjo kompani, përmes një postimi në “Facebook” demantoi Nagavcin, duke thënë se oferta e tyre, përkundër vështirësive në treg, ka qenë për katër për qind më e ulët sesa ajo e një viti më parë.
Nga opozita hodhën kritika të shumta në drejtim të ekzekutivit, duke thënë se po dështon totalisht në menaxhim, ndërsa zv.ministri i Arsimit, Taulant Kelmendi mori mbështetjen e pushtetarëve me arsyetimin e tij se kanë ndalur abuzimin me mjetet e shtetit.
As prindërit nuk qëndruan duarkryq në këtë debat, me disa syrresh që përmes rrjeteve sociale shprehën habinë e tyre lidhur me atë se si t’i blejnë vetë, kur kanë parasysh faktin se shumë prej prindërve kanë më shumë se një fëmijë në shkollë e gjithashtu shumë prej tyre janë me pagë minimale e si të vetëmpunësuar brenda familjes.
Gjithsesi, deri më tani nuk ka zyrtare nëse një gjë e tillë do të konfirmohet apo do të ketë një hap prapa nga autoritetet kosovare të Arsimit.