Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Ajo çka e bën edhe më tronditëse, është se në shumë raste viktima janë edhe fëmijët të moshave të vogla, të cilët keqpërdoren seksualisht nga të rriturit.
Një ngjarje tejet e rëndë dyshohet të ketë ndodhur në fshatin Malësi e Re në Prizren, ku një fëmijë 8-vjeçar është dhunuar seksualisht.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rastin tronditës e ka denoncuar babai i djalit, i cili ka njoftuar se ka pranuar pamje të aktit të tmerrshëm përmes telefonit.
Bazuar në dëshminë e tij, i dyshuari ka filmuar aktin e dhunimit dhe të njëjtën video më pas ia ka dërguar në rrjete sociale.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.