Jo vetëm në Beograd dhe qytete të tjera të Serbisë, por edhe në Rusi po shfaqen grafitet luftënxitëse “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.
Avokati beogradas Çedomir Stojkoviq, thotë se operacionet hibride të Rusisë ndaj Serbisë, veçanërisht në segmentin e psikologjisë kolektive, po fitojnë vrull.
“Në të gjithë Rusinë u shfaqën mbishkrime të ngjashme me ato që u përhapën në mënyrë të planifikuar dhe të organizuar në Serbi: ‘Kur të kthehet ushtria në Kosovë’, si mesazh që Federata Ruse dhe Vladimir Putin mbështesin pushtimin ushtarak të Serbisë në Kosovë”, ka shkruar avokati serb, në një postim në rrjetin social X (ish-Twitter).
Më tej avokati beogradas thotë se “po bëhen 15 vjet që Rusia pa pushim krijon një popullsi rusofile në Serbi”.
“Diplomatët perëndimorë më thonë: ‘por këto janë vetëm truke të vogla të Federatës Ruse’. Por, diplomatët perëndimorë nuk e njohin Miloradin nga Krushevci, i cili për shkak të gjërave të tilla mban një automatik të fshehur në garazh dhe pret sinjalin për të shkuar në Kosovë”, përkujton avokati Stojkoviq.
Më tej ai thotë se njeh qindra Milorada si ky.
“Diplomatët të bëhen më seriozë”, tërheq vërejtjen avokati serb.
Një grup aktivistësh për të drejtat e njeriut në Serbi u ka bërë thirrje autoriteteve shtetërore të reagojnë menjëherë për shkak të shfaqjes së shpeshtë të grafiteve “Kur ushtria të kthehet në Kosovë…”.
Ndryshe, avokati Çedomir Stojkoviq është ndër intelektualët e rrallë dhe zërat konstruktivë në Serbi që e thotë hapur se politikanët në Serbi vazhdojnë ta gënjejnë popullin për sa i përket çështjes së Kosovës.
Stojkoviq muaj më parë në një emision, ka theksuar se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se askush deri më tani në Serbi nuk ka marr guximin ta thotë këtë të vërtetë.
“Mund të jeni tradhtar nëse ju gënjeni se çfarë ka ndodhur dikur me Kosovën dhe çfarë po ndodhë tani. Por, ju e pranoni se Rezoluta 1244 nuk e ofron pavarësinë e Kosovës, derisa kjo rezolutë në nenin 11 tregon që statusi i ardhshëm i Kosovës do të jetë sipas principit të Marrëveshjes së Rambujesë, a derisa principi në nenin 7 tregon se statusi i Kosovës do të zgjidhet sipas vullnetit të popullit, pas tri viteve. Nuk thotë referendum, por vullneti i popullit”, ka thënë Stojkoviq.
Sipas avokatit nga Beogradi thotë se edhe pas 24 viteve, populli serb vazhdon të mashtrohet nga politikanët e saj.