-2.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Sofija Todoroviq për RTK: U kërcënova në Serbi pse thash se Kosova e meriton ulësen në OKB

Drejtoresha e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sofija Todoroviq, ka thënë që Kosova duhet të ketë ulëse në OKB. Në një intervistë për Radio Kosovën ajo thotë se  për këtë deklaratë të saj, ajo ka marrë kërcënime me jetë në Serbi.

Radio Kosova: Këto ditë ju keni kërkuar që Kosova të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe kjo ka ngjallur reagime në Serbi deri në atë masë sa ju keni marrë edhe kërcënime për jetë?

Sofija Todoroviq: Kjo nuk është diçka me të cilën unë nuk jam mësuar. E di që tingëllon pak brengosëse për shkak të mënyrës se si unë flas dhe si e kuptoj bashkëpunimin ndër-rajonal, sidomos ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është diçka që nuk mirëpritet në publik, kryesisht për shkak të narracionit politik që është ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra, unë jam pyetur nëse Kosova duhet të ketë ulëse në OKB dhe për këtë unë kam përmendur procesin negociues, marrëveshjet, aneks marrëveshjet kur në parim Serbia është pajtuar që të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Unë kam shpjeguar rolin e OKB-ës dhe mbi këtë kam thënë që anëtarësimi i Kosovës në OKB do të nënkuptonte edhe një mekanizëm shtesë i cili do të kontrollonte të drejtat e njeriut në një formë. Kjo do të nënkuptonte më shumë opsione për të gjithë njerëzit në Kosovë, sidomos komunitetet. Prandaj nuk e kuptoj pse duhen reagime të tilla, kur kjo ofron një zgjidhje më të mirë dhe garancë më të mirë për të drejtat e njeriut.

Radio Kosova: Pra, ju mendoni që Kosova duhet të ketë ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara?

Sofija Todoroviq: Absolutisht po. Nuk e kam problem ta them këtë, edhe pse kjo nuk pranohet mirë në Serbi për shkak të nacionalizmit që është një mjet në gjuhën e politikës. Por unë jam e vetëdijshme edhe kush është përgjegjës për këtë dhe kjo është përgjegjësi e politikanëve si në Kosovë, si në Serbi. Unë e di që serbët në Serbi, nuk kanë mjaft informacione për historinë e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, se çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta e as pas asaj se çfarë më pas ka ndodhur. Prandaj, mendoj, se kjo është e rrezikshme, sepse në fund, pasojat i bartin qytetarët.

Radio Kosova: Narracioni politik që është ndërtuar në Kosovë dhe Serbi për dialogun nuk është promovim i paqes për të drejtat e njeriut, por perceptohet si një formë “tradhtie” nga kushdo që e nënshkruan atë. Si e shihni këtë?

Sofija Todoroviq: Këtë e shoh si diçka shumë të rrezikshme. Nuk shoh dialog. Liderët tanë nuk zhvillojnë bisedime. Ata kanë vazhdimisht negociatorë në mes. Kjo tregon shumë për pa përgjegjësinë e tyre për t’u ballafaquar me realitetin. Politikanët tanë nuk kanë përgjegjësi politike dhe këtë e shoh si rrezik edhe në Kosovë edhe në Serbi. Unë njoh mjaft aktivistë edhe në Kosovë të cilët perceptohen si tradhtarë vetëm pse mbrojnë të drejtat e njeriut. Pra është akuzë konstante që na bëhet neve që flasim për çështje më të ndjeshme dhe ne jemi ata që fajësohemi më së shumti për këto tema.

Radio Kosova: Ju jeni drejtoreshë e një organizate që merret me të drejtat e njeriut, sa respektohen të drejtat e komunitetit shqiptar në Serbi, por edhe të serbëve në Kosovë?

Sofija Todoroviq: Faleminderit për këtë pyetje, sepse kjo nuk është pyetje që më bëhet shpesh në këtë formë! Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Beograd, monitoron në baza të rregullta të drejtat e komunitetit shqiptar në Luginë të Preshevës. Jemi duke përcjellë ndalesat që po i bëhen transmetimit të filmave vetëm pse aty ka simbole të Kosovës, ose shuarja e adresave të shqiptarëve të Luginës, të cilëve ne po u ofrojmë edhe ndihmë juridike. Ne po i bëjmë bashkë shqiptarët dhe serbët në raste të ndryshme duke dëshmuar që dialogu është i mundshëm edhe nëse nuk pajtohemi në të gjitha gjërat. Ne po përcjellim për së afërmi edhe gjendjen e komunitetit serb në Kosovë, e cila në dy vitet e fundit është përkeqësuar dukshëm, ka rritje të frikës nëse po shkojmë në konflikt apo do të jetojmë në paqe. Jeta e serbëve në Kosovë, nuk duhet të përcaktohet vazhdimisht nga Beogradi, por institucionet kosovare duhet të shkojnë atje dhe të flasin me qytetarët atje. Unë nuk po flas për ata njerëz që janë të dhunshëm, por për qytetarët e pakënaqur. Mendoj që raportimet e njëanshme si për shqiptarët në Serbi, si për serbët në Kosovë, duhet të ndalohen dhe ne duhet të ngrisim zërin për këtë, pavarësisht të drejtat e kujt janë duke u shkelur.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img