Në konkursin e fundit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Podujevës, në pozitën teknik laboratori është pranuar Xhemile Shabani – e cila në vitin 2021 ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, për shkak se e njëjta kishte shpërndarë teste të falsifikuara negative të COVID-19.
Shabani, tani teknike laboratori në QKMF-në e Podujevës, më 4 shtator të vitit 2021 ishte arrestuar në flagrancë, e dyshuar për falsifikim të testeve negative për COVID-19, në një laborator në po këtë komunë.
“Arrestohen dy të dyshuar nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘falsifikim i dokumenteve’. Hetimet paraprake dhe operacioni policor i sotëm vije pas dyshimeve se në këtë laborator lëshoheshin teste të falsifikuara për COVID-19”, thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Ajo mbante pozitën e punëtores në këtë laborator, ndërsa së bashku me të ishte arrestuar edhe shefi i këtij laboratori.
“Hetuesit policorë gjatë realizimit të këtij operacioni policor i kishin kapur në flagrancë duke lëshuar teste të falsifikuara pronarin e laboratorit, të dyshuarin B.S., viti i lindjes 1952, mashkull kosovar dhe punëtoren e këtij laboratori Xh. Sh., viti i lindjes 1988, femër kosovare”.
Të njëjtëve u ishte caktuar masa e paraburgimit për 48 orë.
Lidhur më këtë rast, Albanian Post ka kontaktuar me ushtruesin e detyrës së drejtorit të QKMF-së së Podujevës, Bajram Bajgora, i cili bëri me dije se QKMF-ja nuk ka të bëjë fare me procedurat e rekrutimit.
Bajgora tha për AP se për një gjë të tillë është përgjegjëse zyra për burime njerëzore në kuadër të komunës.
“Procedurat e rekrutimit zhvillohen nga zyra për burime njerëzore në komunë, kështu që nuk e di se kush është pranuar, dhe nuk di asgjë për kontekstin të cilin po e cekni”, theksoi ai, duke shtuar se edhe komisioni përgjegjës për vlerësimin e kandidatëve “formohet nga zyra për burime njerëzore brenda komunës”.
AP ka tentuar që të kontaktojë edhe me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, mirëpo ai ka refuzuar që ta hap telefonin.
Sa i përket konkursit për plotësimin e vendeve të lira në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, kishte pasur kritika të shumta për punësime familjare nga zyrtarët komunalë.
Në një postim të bërë nga opozita në Podujevë të mërkurën, ishte paraqitur një listë e punësimeve familjare e partiake.
Ata, duke publikuar edhe dokumente, tregojnë se si në këtë konkurs janë punësuar “nusja e djalit të motrës të Adelina Stubllës, që është kryetare e Gruas së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, kunata e saj po ashtu, kunata e drejtorit aktual të QKMF-së, Bajram Bajgorës, vajza e tezës së presidentes Vjosa Osmani, djali i baxhanakut të Shpejtim Bulliqit, vajza e nënkryetarit të Vetëvendosjes në Podujevë dhe aktivistë të tjerë të partisë.
Komuna e Podujevës, e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, që nga koha që e ka ardhur në krye të kësaj komune akuzohet vazhdimisht për punësime familjare.
Ai ka punësuar së fundi edhe dhëndrin e tij në Ndërmarrjen Publike “Kompania e Ujësjellësit Rajonal Prishtina”, derisa i njëjti vazhdon të mbajë punën si zyrtar në një tjetër ndërmarrje publike.
Favorizimet e familjareve nga zyrtarët e kësaj komune nuk përfundojnë me kaq, shkruan albanianpost.
Dalip Vokrri – i cili e kishte gruan kandidate për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, vajzën asamblistë në komunën e Podujevës e familjarin zëvendës-ministër nga po e njëjta parti, është përfitues i një fondi po nga Komuna e Podujevës.
Siç mund të shihet në listën e përfituesve të frezave të dheut nga marrëveshja e bashkëpunimit në mes të Komunës së Podujevës me Agjencinë Turke – Tika, Dalipi renditet i16-ti me radhë, nga 50-të gjithsejtë sa janë përfituesit totalë.
Gruaja e Dalipit, Shemsia që ishte kandidate për deputete nga VV në zgjedhjet e vitit 2017, aktualisht paguan dënimin e marrë nga komisioni disiplinor brenda Postës dhe Telekomit të Kosovës, ku është e punësuar, meqë ishte gjetur përgjegjëse për avullimin e mbi 1500 eurove nga Zyra Postare në Podujevë./albanianpost