Historiani Nuri Bexheti ka thënë se opozita në Maqedoninë e Veriut është kategorikisht kundër për ndryshimet e reja kushtetuese që priten të ndodhin, pas seancë së nesërme parlamentare.
Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka folur edhe për vizitën e kryeminsitrin Albin Kurti javën e kaluar në Shkup, me debatin që ka shkaktuar në skenën politike të shtetit fqinj.
“Ndryshimet kushtetuese nuk ndodhin me një seancë parlamentare. Nesër hapet debati, ai debat do të vazhdojë për ditë ose për javë me radhë. Opozita maqedonase është kategorikisht kundër për të ndodhur këto ndryshime, Albin Kurti, sipas meje, është në sinkron me partinë maqedonase VMRO-DPMNE dhe me aleatët e vegjël shqiptarë që e projektojnë veten që kur të mbahen zgjedhjet të krijojnë një koalicion jashtë Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe aleancës për shqiptarët”.
“Vitia e Kurtit nuk është e rastësishme, ai ka bërë një vizitë politikë duke grupuar partitë e vogla që i sheh si aleatë të nesërmen, kur do të mbahen zgjedhjet. Jam i bindur se koha do të tregoj se dhe reagimet e faktorit ndërkombëtar se Kurti ka bërë një dëm të madh politik, jo vetëm shqiptarëve, por të gjithë Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Bexheti.
“Nuk bëhet tuneli pa vullnetin e dy shteteve, pa partinë që është në pushtet, pa përfaqësimin dhe pa takimin lidershipit shqiptar në Maqedoni që përfaqëson 70 për qind të shqiptarëve në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut”.
Bexheti ka deklaruar se Kurti ka shkaktuar këto zhvillime në Maqedoninë e Veriut për t’i ikut “pafuqisë për ta shtrirë sovranitetin në veri të Kosovës”.
“Mos takimi i Z.Kurti me kryeministrin maqedon, mos takimi i Kurtit me liderin e shqiptarëve të Maqedonisë, Z.Ahmeti, apo edhe me partinë e Z.Taravari që është partia e dytë më e madhe, lë shumë për të dëshiruar, më shumë i ka bërë dëm palës maqedonase, i ka bërë pushtetit, që bën punë natë e ditë për të gjetur një zgjidhje për çështjen kushtetuese, për të bërë ndryshimin fundamental për të marrë datën e shumë pritur, Kurti nuk është se nuk e ka menduar, e ka menduar mirë, për të dalë nga pafuqia për ta shtrirë sovranitetin në veri të Kosovës, duhet të shpik tema të tilla”, ka thënë Bexheti.
Sipas Klan Maqedoni, kuvendi atje nesër edhe zyrtarisht nis me punë me seancën e 123-të, në të cilën pika e vetme e rendit të ditës është Propozimi për nevojën për ndryshim të Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Debati duhet të përfundojë më 31 gusht. Deputetët do të kenë kohë të limituar për të folur në foltoren e Kuvendit. Ndërhyrjet në Kushtetutë i referohen shtimit të pjesëve të kombeve në Preambulë dhe nenet 49 dhe 78 të Kushtetutës, kur numërohen pjesët e kombeve në shtet.
Në formulimin: “Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, populli maqedonas, pjesë e popullit shqiptar, populli turk, populli vllah, populli serb, populli rom, populli boshnjak e të tjerë”, vihet presje pas fjalës popull boshnjak dhe shtohet: populli bullgar, populli kroat, populli malazez, populli slloven, populli hebre dhe populli egjiptian.