Dy kryetarët nga radhët e PDK’së që po udhëheqin me komunën e Zveçanit dhe Zubin Potokut kanë kundërshtuar largimin e tyre përmes peticionit. Ata preferojnë arritjen e një marrëveshje me kryeministrin. Ndërkaq, në anën tjetër, për krerët e shtetit peticioni është opsioni favorit për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja.
Se duhet të mbahen zgjedhje të reja në veri pas gjithë tensioneve që përcollën veriun, është arritur dakordim. Për të shpallur zgjedhje të reja, janë disa mënyra, mirëpo për Kurtin, Osmanin dhe Konjufcën, mënyra “më demokratike” është përmes peticionit të nënshkruar nga 20 për qind e qytetarëve në listën votuese.
Njëjtë nuk mendojnë kryetarët e dy komunave veriore – Izmir Zeqiri në Zubin Potok dhe Ilir Peci në Zveçan. Që të dy janë deklaruar kundër peticionit, si mënyrë për t’i larguar ata nga postet që kanë marrë si rezultat i zgjedhjeve të 23 prillit. Ata preferojnë arritjen e një marrëveshje me Qeverinë.
Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se hap më i mirë është dorëheqja vullnetare pas një marrëveshje politike mes Qeverisë dhe PDK’së.
“Mirëpo, në pyetje se a më mirë është shkarkimi apo dorëheqja vullnetare?. Unë kam deklaruar se më mirë do të ishtë dorëheqja vullnetare pas një marrëveshje politike, Qeveri-Partia Demokratike”, tha Zeqiri, duke shtuar se shkarkimi nga ana e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, nuk është zgjidhje adekuate.
Ndërkaq dje i pari i Zveçanit, Ilir Peci, deklaroi se mënyra e peticionit nuk i pëlqen, duke shtuar se ekziston mundësia e marrëveshjes me kryeministrin “për të mirën e qytearëve”.
“Kjo mënyra e peticionit mua nuk është aspak duke më pëlqyer, për shkak se pse me ia dhënë mundësinë dikujt tjetër të të shkarkojë ty, kur ne mundemi si kryetarë të komunave së bashku me kryeministrin të arrijmë një marrëveshje ndryshe për të mirën e qytetarëve… PDK-ja prej pasluftës vetëm njëherë i ka humbur zgjedhjet këtu në Komunën e Zveçanit, gjithmonë kemi qenë të parët dhe shpresoj përsëri do të jemi”, ka thënë ai në një intervistë për KP.
Pro dorëheqjeve ishin deklaruar edhe nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar atë si mënyrën më të shpejtë, mirëpo Kurti disa herë kishte thënë që nuk mund ta kërkojë dorëheqjen e tyre.
Për largimin e kryetarëve aktualë, tashmë një grup zyrtarësh janë angazhuar për ta hartuar një udhëzim administrativ. Për ta përgatitur dokumentin, ata kanë kohë deri më 1 shtator.
“Grupi Punues është përgjegjës për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave. Grupi punues duhet të finalizojë projekt-udhëzimin administrativ, dhe ta procedojë te Zyra e Sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së deri më datën 01 shtator 2023”, thuhet në vendimin e MAPL-së.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje ka mbajtur mbledhje. Kryetari i këtij institucioni, Kreshnik Radoniqi, kur u pyet për grupin punues për hartimin e udhëzimit administrativ, tha se kjo ka qenë kërkesë e Ministrisë dhe se janë duke u mbajtur takimet, mirëpo nuk dha shume sqarime.
“Janë duke u mbajtur takime… deri sa të marrim një përfundim nga Komisioni nuk kemi çka me deklaruar. Ajo është kërkesë e Ministrisë, ata e kanë kërkuar një anëtar e kemi dërguar… Ta shohim ditëve në vijmë se çka do të veprojmë, për momentin nuk kemi përgjigje”.
Presidentja Osmani, dje gjatë një vizite në komunën e Dragashit, ka thënë se është çështje ditësh kur pritet të përfundojë baza ligjore për largimin e kryetarëve në Veri.
“Sa i përket çështjes së kryetarëve të komunave veriore është çështje ditësh kur do të përfundojë baza ligjore sa i përket akteve nënligjore dhe atyre të ministrisë dhe KQZ-së që i përcaktojnë afatet dhe çështjet teknike dhe procedurale lidhur me zbatimin e nenit 72 të ligjit për vetëqeverisje lokale. Kjo është bazuar edhe në praktikat e mëhershme, kur të drejtat që tashmë parashihen dhe rregullohen me ligj, kur duhet të zbatohen ato të drejta, çështjet procedurale parashihen me akte më të ulëta, pra me akte nënligjore. Pasi të përfundoj kjo, u takon pastaj qytetarëve në veri se a dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë të drejtë apo jo”, ka thënë Osmani.
Zgjedhjet në Veri u patën shpall një herë për në dhjetor, mirëpo për shkak të vendosjes së barrikadave, presidentja Osmani i shtyu ato për më 23 prill. Pas betimit, kryetarët në Veri hynë nëpër objektet komunale, gjë që nxiti protesta të dhunshme nga ana e qytetarëve serbë atje. Pas disa takimeve, Kosova dhe BE janë pajtuar që të ketë zgjedhje të reja në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.