-2.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Gjermania drejt liberalizimit të rregullave për posedimin dhe shitjen e kanabisit

Qeveria federale e Gjermanisë ka miratuar të mërkurën një plan për të liberalizuar rregullat për kanabisin, duke krijuar kushtet që anëtari më i populluar i Bashkimit Evropian të dekriminalizojë posedimin e sasive të kufizuara, dhe të lejojë anëtarët e “klubeve të kanabisit” të blejnë këtë substancë për qëllime rekreative.

Legjislacioni konsiderohet si hapi i parë, në një plan me dy pjesë dhe ende ka nevojë për miratim nga parlamenti. Por miratimi i qeverisë është një hap përpara për një projekt të shquar reformues të koalicionit social liberal të kancelarit Olaf Scholz, megjithëse dukshëm më pak nga ambiciet e tij origjinale, raporton AP.

Projektligji, i cili qeveria shpreson të hyjë në fuqi në fund të këtij viti, parashikon legalizimin e posedimit të deri në 25 gram kanabis, për qëllime rekreative dhe lejimin e individëve të rrisin deri në tre bimë vetë.

Banorët gjermanë që janë 18 vjeç e lart do të lejohen të bashkohen në “klubet e kanabisit” jofitimprurëse, me një maksimum prej 500 anëtarësh secili. Klubet do të lejohen të kultivojnë kanabis për konsum personal të anëtarëve.

Individët do të lejohen të blejnë deri në 25 gramë në ditë, ose një maksimum 50 gramë në muaj – një shifër e kufizuar në 30 gramë për moshat nën 21 vjeç. Anëtarësimi në shumë klube nuk do të lejohet. Shpenzimet e klubeve do të mbuloheshin nga tarifat e anëtarësimit, të cilat do të vareshin sipas sasisë së kanabisit që përdorin anëtarët.

Qeveria planifikon të ndalojë reklamimin ose sponsorimin e kanabisit dhe klubeve, dhe konsumi nuk do të lejohet përbrenda 200 metrave nga shkollat, këndet e lojërave dhe objektet sportive, ose pranë ambienteve të klubit të kanabisit.

Zyrtarët shpresojnë se plani i tyre do të ndihmojë në mbrojtjen e konsumatorëve kundër produkteve të kontaminuara dhe reduktimin e krimit të lidhur me drogën. Ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach tha se ai pret që sistemi të prodhojë çmime “shumë konkurruese”.

“Kështu që ne mendojmë se mund ta shtyjmë mirë tregun e zi me këto rregulla”.

Aktualisht, “ne kemi konsum në rritje, konsum problematik”, u tha Lauterbach gazetarëve.

“Thjesht nuk mund të vazhdonte kështu”.

Opozita e qendrës së djathtë, argumenton se qeveria po ecën përpara me legalizimin e një droge të rrezikshme pavarësisht pengesave ligjore evropiane dhe opinionit të ekspertëve. Një organizatë që përfaqëson gjyqtarët gjermanë, thotë se plani ka të ngjarë të rrisë në vend se të ulë barrën në sistemin gjyqësor dhe madje mund të rrisë kërkesën për kanabis në tregun e zi.

Edhe disa avokues të legalizimit nuk janë të kënaqur.

Legjislacioni do të shoqërohet me një fushatë që synon të sensibilizojë të rinjtë ndaj rreziqeve të konsumimit të kanabisit.

Qeveria thotë se planifikon të ndjekë legjislacionin e ri, duke hartuar një hap të dytë – teste pesëvjeçare të zinxhirëve të furnizimit komercial të rregulluar në rajone të zgjedhura, të cilat më pas do të vlerësohen shkencërisht.

Kjo është shumë më pak se plani i tij origjinal vitin e kaluar, i cili parashikonte lejimin e shitjes së kanabisit për të rriturit në të gjithë vendin në pikat e licencuara.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img