4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Ajeti jep informacione shtesë mbi pranimin e avokatëve kosovarë në Gjermani

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka dhënë informacione shtesë mbi pranimin avokatëve kosovarë në Republikën Feredale të Gjermanisë.

Ajeti ka sqaruar ndryshimin e urdhëresës së Ministrisë së Drejtësisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për zbatimin e nenit 206 të Ligjit Federal të Avokatëve, ku thotë se përmes saj është krijuar për herë të parë baza ligjore për njohjen e avokatëve nga Republika e Kosovës në Gjermani, duke iu mundësuar atyre të bëhen anëtarë të Odës së Avokatëve në Gjermani dhe të ushtrojnë veprimtarinë e tyre si avokatë të huaj në shtetin gjerman, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Me këtë ndryshim, avokatëve nga Republika e Kosovës iu njihet statusi si avokatë të huaj, të cilët mund të mbartin emërtimin e tyre profesional (“Avokat, Advokat”) dhe mund të ju ofrojnë personave fizik dhe juridik shërbime ligjore në fushën e të drejtës së shtetit (të Republikës së Kosovës) ku janë të licencuar si avokat (për shembull të këshillimit ligjor të së drejtës së aplikueshme në Kosovë ). Përmes këtij ndryshimi, avokatët nga Republika e Kosovës do të kenë të njëjtin status me avokatët tjerë të huaj në Gjermani, sikurse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, të cilët gjithashtu janë pjesë e Urdhëresës së lartcekur”, njofton Ajeti.

Ai shtoi se kjo urdhëresë nuk vlen vetëm për avokatët nga Republika e Kosovës, por edhe për avokatë të tjerë të huaj të licencuar në Gjermani.

“Megjithatë, kjo urdhëresë nuk iu mundëson avokatëve të huaj që të ofrojnë shërbime ligjore në fushën e të drejtës gjermane dhe as të përfaqësojnë palë para gjykatave në Gjermani. Kjo e drejtë është e rezervuar vetëm për juristët, të cilët e kanë kryer ekzaminimin e dytë shtetëror (2. Staatsexamen) në Gjermani”, thekson ambasadori.

Procesi i anëtarësimit të avokatëve të huaj në Gjermani, Ajeti tha se bëhet përmes Odës së Avokatëve në landin përkatës. Dokumentacioni i kërkuar dhe i nevojshëm varion ndërmjet Odave të ndryshme të landeve gjermane. Pas pranimit, Oda përkatëse vendos për pranimin e avokatëve të huaj, duke pajisur me kutinë postare elektronike të avokaturës që e posedon çdo avokat në Gjermani.

Njoftimi i plotë i Ajetit:

“Disa informacione praktike mbi pranimin e avokatëve kosovarë në Republikën Federale të Gjermanisë

Çfarë nënkupton Urdhëresa e Ministrisë së Drejtësisë të Republikës Federale të Gjermanisë të datës 10 gusht 2023?

Me 10 gusht 2023, Ministria e Drejtësisë së Republikës Federale të Gjermanisë, ka publikuar Urdhëresën e 12-të përmes së cilës ka ndryshuar urdhëresën për zbatimin e nenit 206 të Ligjit Federal të Avokatëve (Bundesrechtsanwaltsordnung, BRAO). Përmes kësaj urdhërese është krijuar për herë të parë baza ligjore për njohjen e avokatëve nga Republika e Kosovës në Gjermani, duke iu mundësuar atyre të bëhen anëtarë të Odës së Avokatëve në Gjermani dhe të ushtrojnë veprimtarinë e tyre si avokat të huaj në shtetin gjerman.

Çfarë ka ndryshuar kjo Urdhëresë për avokatët kosovarë?

Me këtë ndryshim, avokatëve nga Republika e Kosovës iu njihet statusi si avokatë të huaj, të cilët mund të mbartin emërtimin e tyre profesional (“Avokat, Advokat”) dhe mund të ju ofrojnë personave fizik dhe juridik shërbime ligjore në fushën e të drejtës së shtetit (të Republikës së Kosovës) ku janë të licencuar si avokat (për shembull të këshillimit ligjor të së drejtës së aplikueshme në Kosovë ). Përmes këtij ndryshimi, avokatët nga Republika e Kosovës do të kenë të njëjtin status me avokatët tjerë të huaj në Gjermani, sikurse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, të cilët gjithashtu janë pjesë e Urdhëresës së lartcekur. Për më shumë informacione mbi veprimtarinë e avokatisë për avokatët e huaj në Gjermani mund t`i gjeni si në vijim:

dejure.org / Fehler – dejure.org

A i mundëson kjo Urdhëresë e re avokatëve kosovarë të përfaqësojnë palë para gjykatave në Gjermani ?

Kjo urdhëresë nuk vlen vetëm për avokatët nga Republika e Kosovës, por edhe për avokatë të tjerë të huaj të licencuar në Gjermani. Megjithatë, kjo urdhëresë nuk iu mundëson avokatëve të huaj që të ofrojnë shërbime ligjore në fushën e të drejtës gjermane dhe as të përfaqësojnë palë para gjykatave në Gjermani. Kjo e drejtë është e rezervuar vetëm për juristët, të cilët e kanë kryer ekzaminimin e dytë shtetëror (2. Staatsexamen) në Gjermani.

Në anën tjetër edhe avokatët nga shtetet e tjera të Bashkimit Evropian mund të ushtrojnë veprimtarinë e avokatit të huaj në Republikën e Kosovës në pajtim me nenin 48 të Statutit të Odës së Avokatëve të Kosovës.

Çfarë është procedura e ushtrimit të veprimtarisë së avokatisë të avokatëve nga Republika e Kosovës në Gjermani?

Procesi i anëtarësimit të avokatëve të huaj në Gjermani bëhet përmes Odës së Avokatëve në landin përkatës. Dokumentacioni i kërkuar dhe i nevojshëm varion ndërmjet odave të ndryshme të landeve gjermane. Pas pranimit, oda përkatëse vendos për pranimin e avokatëve të huaj, duke pajisur me kutinë postare elektronike të avokaturës që e posedon çdo avokat në Gjermani.

Cila është rëndësia e kësaj urdhërese për Kosovën dhe Gjermaninë?

Miratimi i kësaj urdhërese shënon një hap të rëndësishëm ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë dhe hap mundësi të reja të thellimit dhe avancimit të marrëdhënieve të shkëlqyera. Duke u njohur nga Gjermania, avokatët nga Kosova mund të përfshihen edhe zyrtarisht si avokat të huaj me emërtimin e tyre të plotë profesional dhe të ofrojnë ekspertizën e tyre në çështje juridike mbi të drejtën e zbatueshme në Republikën e Kosovës dhe të drejtën ndërkombëtare . Përmes këtij ndryshimi, avokatët nga Republika e Kosovës do të kenë për herë të parë të njëjtin status në Gjermani me avokatët ndërkombëtarë, të cilët ofrojnë shërbime juridike si avokat të huaj në shtetin gjerman.

Informacione shtesë mund t‘i gjeni edhe në njoftimin e bërë nga Ministria e Drejtësisë së Republikës së Kosovës“.

Ministria e Drejtësisë, të martën ka sqaruar procesin e anëtarësimit të avokatëve nga Republika e Kosovës në Gjermani.

Ndryshe, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ditë më parë ka thënë se për të punuar si avokat në shtetin gjerman duhet diplomë përkatëse për t’i përfaqësuar klientët nëpër gjykatat gjermane

Fillimisht, Rohde e kishte mirëpritur njohjen e avokatëve të  licencuar të Kosovës nga Gjermania.

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, kishte njoftuar se avokatët nga Republika e Kosovës tani e tutje njihen zyrtarisht nga Gjermania.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img