2.9 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Interesim i madh për izolimin e kushtueshëm të shtëpive

Naim Pacolli, nga fshati Marec në Prishtinë, është duke shqyrtuar mundësinë që të aplikojë për subvencion nga Qeveria për izolimin e shtëpisë së tij, pasi me mjete vetjake nuk ka mundur ta bëjë këtë investim.

Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se 11 vjet më parë e kishte ndërtuar shtëpinë, por izolimi termik i mureve të jashtme të shtëpisë atëbotë për të ishte i papërballueshëm.

“Në atë kohë izolimi i jashtëm i mureve të shtëpisë më kushtonte diku 8.000 euro dhe nuk e kam bërë se ishte shtrenjtë për mua”, thotë ai.

Më 8 gusht, Qeveria e Kosovës ka hapur thirrjen publike për aplikim për masa të efiçencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit.

Qeveria do të subvencionojë rreth 2.000 familje deri në 50 për qind të kostos së investimit, e kufizuar në shumën prej 5.500 eurosh.

Ky subvencion përfshin koston e izolimit të jashtëm të shtëpisë, ndërrimin e dritareve dhe të derës së hyrjes, si dhe izolimin e kulmit.

Për këtë projekt janë ndarë gjithsej 10 milionë euro.

Projekti mbështetet nga Bashkimi Evropian, në kuadër të programit IPA [Instrumenti i Para-anëtarësimit] – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).

Për Pacollin, i cili punon në një kompani private, subvencioni i Qeverisë është i pamjaftueshëm, pasi me të ardhurat mujore të tij prej 400 eurosh në muaj, e ka të vështirë të sigurojë pjesën tjetër të mjeteve.

“Është dashur që subvencioni të jetë 70 ose 80 për qind dhe të ketë kategorizime, për shembull për qytetarë me të ardhura më të ulëta subvencioni të jetë më i lartë. Për ata qytetarë që qëndrojnë mirë në aspektin financiar, kjo shumë është e mirëseardhur dhe e mjaftueshme, për neve me të ardhura të ulëta, është pak”, thotë ai.

Sa kushton izolimi i shtëpisë?

Kusht i detyrueshëm për të përfituar nga subvencioni i Qeverisë është izolimi termik i mureve të jashtme të shtëpisë.

Çmimet në treg për shërbime të tilla janë të ndryshme.

Mirsim Selmani nga një kompani private e cila merret me izolim të mureve të jashtme të shtëpisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimet i dikton kualiteti i materialit izolues.

Sipas tj, një metër katror për izolim termik të mureve të jashtme të shtëpisë kushton nga 20 euro deri në 24 euro, varësisht nga materiali që përdoret.

Krahasuar me dy-tre vjetët e kaluar, ai thotë se tani çmimet janë më të larta.

“Ka pasur rritje të çmimeve për 20 për qind, materialet janë shtrenjtuar, kostoja e fuqisë punëtore është rritur”, thotë ai.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se indeksi i tërësishëm i kostos së ndërtimit ka pësuar rritje për 3.3 për qind në tremujorin e parë të vitit 2023, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022.

Selmani thotë që nga hapja e aplikimit për subvencion është rritur interesimi për izolim të jashtëm të mureve të shtëpive

“Para tre-katër ditëve kemi pasur 10 kërkesa për izolim të shtëpive”, thotë ai.

Mbi 1.000 aplikime të qytetarëve për izolim të shtëpive

Fillojetë Konjuhi, specialiste për marrëdhënie me publikun në Fondin e Kosovës për Efiçencë të Energjisë, thotë për REL-in se vetëm brenda një jave kanë pranuar mbi 1.000 aplikime.

Aplikimet, thotë Konjuhi, po trajtohen mbi bazën kush vjen i pari, shërbehet i pari.

“Ka interesim të madh të qytetarëve për subvencion. Ne kemi filluar të shqyrtojmë aplikimet. Komisioni do t’i verifikojë të gjitha. Në momentin që aplikuesi i përmbush kushtet, përfituesi pranon një letër aprovuese me të cilën ai mund të fillojë t’i kryejë punimet”, thotë Konjuhi.

Të drejtë aplikimi për të përfituar nga ky subvencion kanë të gjithë qytetarët, të cilët i përmbushin kriteret e përcaktuara nga FKEE-ja.

Aplikimi do të jetë i hapur deri më 25 shtator 2023

Por, aplikimi mund të mbyllet edhe para kësaj date në rast se arrihet kuota e buxhetit në dispozicion.

Sa i rëndësishëm është izolimi i shtëpive?

Në një hulumtim të realizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore në Prishtinë (INDEP), vlerësohet se izolimi ndërtimor mbetet një nga faktorët më të rëndësishëm në rritjen e efiçiencës së energjisë dhe performancës energjetike të objekteve.

Me kosto relativisht të ulët, efiçienca elementare e energjisë, sipas INDEP-it, arrihet përmes izolimit të jashtëm, vendosjes së dritareve dy dhe tre-shtresore, si dhe izolimit të kulmit.

Në Kosovë, sipas hulumtimit të INDEP-it, një numër i madh i objekteve mbetet pa izolim, gjë që çon në shpenzime të mëdha të energjisë, duke detyruar familjet kosovare të konsumojnë katërfishin e energjisë që konsumon një mesatare evropiane në një vit.

“Me marrjen e disa masave minore izoluese, ky paraqet edhe potencialin më të lartë për masat dhe dobi të efiçiencës së energjisë, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në atë mjedisor”, thuhet në hulumtimin e INDEP-it.

Rëndësia e kursimit të energjisë

Statistikat tregojnë se më së shumti energji elektrike në Kosovë shpenzon sektori i amvisërisë – rreth 40 për qind të konsumit të përgjithshëm.

Kosova nuk arrin ta plotësojë të gjithë kërkesën për furnizim me rrymë nga gjenerimi i brendshëm i energjisë elektrike.

Vendi ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavatë rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavatë në orë. Kjo diferencë importohet nga jashtë.

Vitin e kaluar, Kosova u përfshi në një krizë energjetike. Qeveria vendosi masa emergjente për energji, të cilat përfshijnë masa të kursimit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.

Nga 1 prilli i këtij viti, në Kosovë kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike, me rritje prej 15.4 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img