Probleme pronësore, definimi i projektit ideor, mungesa e projektit kryesor, mungesa e lejes ndërtimore, zhvillimi i procedurave të prokurimit, vonesa në realizimin e punëve dhe dobësi në menaxhimin e kontratave janë gjetjet nga Zyra Kombëtare e Auditimit të perfomancës në raportin “Rinovimi dhe rikonfigurimi i stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”.
Projektet e rinovimit të stadiumeve ende larg përfundimit dhe kjo mund t’i kushtojë si Përfaqësueses së Kosovës ashtu edhe klubeve kosovare. Raporti i auditimit ka nxjerrë në pah dështimin e shtetit me stadiumet.
“Pavarësisht se kanë kaluar disa vjet (nga katër e deri në shtatë) që nga fillimi i procesit, stadiumet janë ende larg përfundimit dhe funksionalizimit. Kjo mungesë e progresit dhe moskompletimit të stadiumeve paraqetë rrezik për Kombëtaren e Kosovës dhe klubet sportive, pasi ato mund të detyrohen që ndeshjet ndërkombëtare t’i zhvillojnë në shtetet fqinje apo në rastin më të keq mund t’i humbin ndeshjet me rezultat zyrtar”, shkruan në përmbledhjen e përgjithshme të Raportit të Auditimit.
Në raportin e publikuar të martën është veçuar se probleme të theksuara janë shfaqur me projektet ideore për rinovimin e stadiumeve. Vlera e përgjithshme e kontratave që ka lidhur MKRS-ja me komunat për rinovimin e tri stadiumeve ka qenë 16.7 milionë euro. 12.5 milionë euro janë ndarë për stadiumin “Adem Jashari”, ndërsa rreth 4.2 milionë euro për fazën e parë për stadiumin e Gjilanit dhe Gjakovës. Vetëm 5.6 milionë euro janë shpenzuar. Në fakt, rinovimi i stadiumit olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë është dashur të përfundojë këtë vit, saktësisht më 16 qershor, bazuar në anekskontratën e lidhur në mes të operatorit dhe financueses, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në shtator të vitit 2021. Por, kjo nuk ka ndodhur. Janë bërë fare pak punë që u ndërprenë shpejt dhe objekti është lënë si më keq. Kështu stadiumi ikonik buzë lumit Ibër në Mitrovicë është shndërruar në gërmadhë pas ndërprerjes së punëve.
Punimet ishin ndërprerë edhe për shkak të telasheve me pronën. Por pas vendimit të fundit do të vazhdohet me dëgjimin publik dhe konsultimin me pronarët e pronave që duhen shpronësuar për realizimin e projektit të rinovimit. Në vitin 2014 MKRS-ja i kishte investuar 740 mijë euro. Por shpejt stadiumi u dëmtua. Në vitin 2017 u investuan një milion e gjysmë, prej të cilave 700 mijë euro për reflektorë i ndau Federata e Futbollit e Kosovës, që stadiumi t’i plotësojë kriteret e kategorisë së dytë, përkatësisht që klubet kosovare t’i organizojnë ndeshjet për garat evropiane. Edhe ai rinovim shkoi dëm dhe askush nuk mori përgjegjësi.
“Duke qenë se MKRS-ja ende nuk ka arritur të përmbushë kërkesat për të aplikuar për leje ndërtimi, punët për rinovimin e stadiumit olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë nuk kanë filluar dhe vazhdojnë të mbesin peng i lejes ndërtimore. Përveç kësaj, për shkak të moszhvillimit të punimeve mirëmbajtja e tij për të mos degraduar mund të shkaktojë kosto shtesë”, shkruan në raport.
Në fakt, kostoja e projektit për rinovimin e stadiumit “Adem Jashari” shkon në rreth 16 milionë euro, prej 12.5 milionë eurosh për sa ishte nënshkruar në vitin 2019.
Prej buxhetit të shtetit së fundi janë ndarë 3.2 milionë euro..
Keqpërdorimet për rinovimin e stadiumit të Gjilanit
Pas publikimit të raportit të auditorit, të martën me komunikatë ka dalë edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Nuk ka dhënë ndonjë shpjegim. Në pika të shkurtra ka raportuar për gjetjet e auditorit. Në raport shkruan se Komuna e Gjilanit ka bërë ndryshime substanciale të kontratës për rinovimin e stadiumit pa respektuar hapat e duhur, duke i shkaktuar komunës kosto shtesë prej 219 mijë e 680 eurosh. Madje, rrezikon të mos licencohet për gara ndërkombëtare edhe pas përfundimit.
“Përveç mosrespektimit të kërkesave sa i përket kategorizimit të stadiumit dhe projektit ideor dhe kryesor, Komuna e Gjilanit nuk kishte respektuar as kërkesat ligjore për ndërtim. Komuna kishte siguruar leje për kategorinë e dytë, ndërsa stadiumi në ndërtim ka qëllim të jetë i kategorisë së katërt, pra që nënkupton ndryshime substanciale në strukturë. Me ligjin për ndërtim kërkohet hartimi i projektit të ri, i cili e rikthen procesin e pajisjes me kushte ndërtimore dhe leje ndërtimore në pikën fillestare. Pra mospajisja me leje të re rrezikon që ky stadium edhe po të përfundohet në përputhje me kriteret për kategorinë e katër, mund të mos arrijë të licencohet”, shkruan në raportin e Auditorit. “Projekti ideor dhe kryesor për stadiumin e qytetit në Gjilan do të duhej t’i nënshtrohej aprovimit të UEFA-së para nënshkrimit të kontratës për realizim të punimeve. Përveç faktit që një gjë e tillë nuk kishte ndodhur para nënshkrimit të kontratës, kërkesa nga MKRS për aprovim nga UEFA ishte bërë tek dy vjet pas nënshkrimit të kësaj kontrate. Pra ky projekt ishte kontraktuar pa pasur siguri se stadiumi do të licencohet nga kjo e fundit”.
Në fund të tetorit të vitit 2017 komuna kishte lidhur kontratën për realizimin e punimeve ndërtimore me një afat prej 36 muajsh. Punimet për rinovim të stadiumit për kategori të dytë kishin filluar në nëntor të vitit 2017. Punimet u ndërprenë në gusht të vitit 2022, kur Komuna e Gjilanit shkëputi kontratën me kompaninë e kontraktuar. Punimet janë ndërprerë pa u bërë shumë punë.
“Për projektin ‘Rinovimi i stadiumit të qytetit të Gjilanit’ kemi vërejtur se komuna nuk e kishte adresuar me kohë çështjen lidhur me shpronësimin e disa pronave rreth stadiumit, të cilat kanë rol kyç në funksionalizimin e stadiumit. Kjo ka bërë që kontesti pronësor lidhur me një pronë private të pengojë shtrirjen e gypave të kanalizimit dhe atmosferik10 e që i kishte pamundësuar OE-së të realizojë punimet për një vit të tërë.
Sipas menaxherit të projektit, me finalizimin e projektit si tërësi do të paraqiten problemet në rregullimin e infrastrukturës përcjellëse, për shkakun se lokacioni i gjerë përfshin edhe disa parcela private e sidomos qasjen deri në stadium”, shkruan auditori. “Nga analiza të cilën e kemi bërë në tabelën më lart vërejmë se në total vlera e kontraktuar për pozicionet e caktuara ishte 114,205 euro, ndërsa vlera e realizuar e ndryshuar me amendamentim për pozicionet e njëjta ishte 972,330 euro, që kishte rezultuar me një diferencë më të lartë prej 862,725 eurosh apo 755 %. Këto diferenca tregojnë se ndryshimi i vlerës së kontraktuar përmes amendamentimit të kontratës është materialisht i lartë dhe sipas rregullave të prokurimit publik një gjë e tillë nuk
lejohet. Kjo kishte ndodhur fillimisht për shkak të moshartimit të duhur të projektit për rinovimin e stadiumit, i cili nuk kishte marrë parasysh gjendjen reale të tribunave në aspektin e cilësisë dhe qëndrueshmërisë, si dhe amendamentimin e kontratës në masë të konsiderueshme. Si rezultat i kësaj janë realizuar punime të cilat kishin tejkalime enorme për pozicionet e caktuara të ndryshuara përmes amendamentimit krahasuar me ato të kontraktuara fillimisht”.
Zvogëlimi i kapacitetit dhe kategorisë së stadiumit në Gjakovë
Në raportin e Auditorit për stadiumin e Gjakovës shkruan se në mungesë të dokumenteve të nevojshme ligjore, rezultoi me zvogëlimin e kapacitetit të ulëseve dhe kategorisë së stadiumit – nga kategoria katër në atë tre, sipas udhëzuesve të UEFA-së.
Ky projekt është në fazën fillestare të realizimit.
“Mosrealizimi i punimeve në përputhje me kontratën dhe planin dinamik ka rezultuar me vonesa të dukshme në përfundimin e projektit për rinovimin e stadiumit, si dhe
funksionalizimin e plotë të tij. Me intensitetin e punimeve të realizuara deri më tani shfaqet shqetësimi se përfundimi i plotë i projektit dhe funksionalizimi i tij nuk do të ndodhë brenda një periudhe optimale kohore, duke pasur parasysh se kjo është vetëm faza e parë e projektit”, shkruan në raport.
Që projektet e rinovimit të stadiumeve të përfundojnë me sukses dhe brenda afateve sa më të shkurtra kohore, Zyra Kombëtare e Auditorit ka dhënë nëntë rekomandime.
Aktualisht vetëm stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare të Kosovës dhe klubeve. Për shkak të ngarkesës së madhe, fusha e stadiumit në Prishtinë është dëmtuar shumë. Fusha në stadiumin “Fadil Vokrri” edhe për shumë vjet pritet të jetë arena e vetme ku Përfaqësuesja e Kosovës dhe klubet kosovare do t’i zhvillojnë ndeshjet kualifikuese në garat ndërkombëtare. Në stadiumin “Fadil Vokrri” si vendase i luan ndeshjet kampionale edhe klubi i futbollit Prishtina. Stadiumi “Fadil Vokrri” i është dhënë në menaxhim Federatës së Futbollit të Kosovës. Pronare e stadiumit është Komuna e Prishtinës.