Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në komunën e Prishtinës Amir Simnica, ka thënë se Lëvizjes Vetëvendosje, i ka humbur rruga në oborr.
Këto deklarime ai i bëri në Info Magazine në Klan Kosova, duke komentuar rastin e arrestimit të asamblistit Besnik Mujeci, nga autoritetet shqiptare.
“Është goxha shqetësuese sepse kemi të bëjmë me një asamblist i cili vjen nga një parti e cila shet moral, dhe e ka gojën plot me të gjitha të mirat, por veprimet e tyre po dalin të jenë turp i madh për Republikën e Kosovës”, tha Simnica.
Gjatë së hënës “deputeti komunal” i VV-së në kryeqytet u prangos në Shqipëri bashkë edhe katër persona të tjerë.
Ata dyshohen për trafikim me narkotikë.
Atyre iu është gjetur edhe një sasi prej 10 mijë dozash të llojit “Ekstazi”, e cila sipas raportimeve kap vlerën e 400 mijë eurove.