Lëvizjes Vetëvendosje i është kapur asamblisti i Prishtinës nga Policia e Shqipërisë si i dyshuar për trafik narkotikësh. Besnik Mujeci të cilin në qershor e kishin shpërblyer edhe me pozitën e akisonarit në “Stacionin e Autobusëve” dyshohet se ka transportuar lëndë narkotike përmes linjës së autobusëve Prishtinë-Tiranë, shkruan Gazeta Express.
Vetëvendosje sot ka mbledhur edhe Komisionin Disiplinor ku para pak miniutash kanë marrë edhe vendim për përjashtimin e Mujecit nga gjithë strukturat e partisë. Këtë e ka konfirmuar zyrtari i lartë i VV-së, Alim Rama.
Këtë njoftim të Ramës për Mujecin e ka shpërndarë me një përshkrim edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë është ngatërruar në përshkrimin që ka bërë për Mujecin, duke “kërkuar” që institucionet e drejtësisë “të marrin dënimin e merituar”.
Tutje Haxhiu ka thënë se veprat e Mujecit janë krime të rënda dhe njerëz si ai nuk kanë vend në Vetëvendosje.
“Komisioni Disiplinor mori vendim për përjashtimin e Besnik Mujecit nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Veprimet për të cilat është arrestuar Besnik Mujeci janë krime të rënda dhe institucionet e drejtësisë duhet ta marrin dënimin e merituar! Njerëz të tillë nuk kanë vend në Lëvizje”, ka shkruar Haxhiu.