Edhe pse kur vjen fjala për shitjen e telefonave “smart”, “Apple” dhe “Samsung” janë rivalë të hershëm, kur bëhet fjalë për furnizimin me ekrane, çështja ndryshon.
Sipas zërave më të fundit, për sa i takon “iPhone 8”, “Apple” ka porositur 70 milionë panele “OLED” nga firma koreano-jugore. Kërkesa thuhet se ka si qëllim të plotësojë pritshmëritë e “Apple”, që “smartphone” i pritshëm i saj të fluturojë nga raftet sapo të dalë në treg.
Sidoqoftë, vet “Samsung” nuk ka pranuar të bëjë komente rreth këtyre zërave, duke nënvizuar se nuk mund të flasë për porositë e klientëve.
“iPhone 7”, në fakt, nuk pati suksesin e pritur, pasi shumë përdorues nuk panë tek ai asgjë më shumë sesa një “iPhone 6” të rifreskuar, gjë që rriti presionin mbi “Apple” që të ngrejë bastin për telefonin e radhës “smart”.
Shumë zëra qarkullojnë në rrjet prej muajsh dhe thuhet, ndër të tjerash, se “iPhone 8” i ri do të ketë ekrane të mëdha “OLED”, “Touch ID” të një forme tjetër, ndërkohë që 3 versionet e familjes “iPhone 8” do të kushtojnë rreth 1.000 dollarë copa e do të kenë ekrane të lakuara “OLED” prej 5.2 inch, përcjell TCH.
Ata do të kenë funksione karikimi “wireless”, e madje thuhet edhe se do të jenë rezistentë ndaj ujit. Ka zëra se një nga “smartphone”-t e rinj do të ketë edhe një sensor 3D, që do t’i lejojë përdoruesit të kenë qasje tek aparati nëpërmjet teknologjisë së njohjes së fytyrës.
Sipas spekulimeve të mëparshme, telefoni “smart” i ri i “Apple” do të quhej “iPhone 8”, por raportet më të fundit sugjerojnë se aparati i ri do të quhet “iPhone Edition”.