2.7 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Fort i nderuari Armend Mehaj – si e mbylli Kurti me dy bankete dorëheqjen e Ministrit që e solli nga Norvegjia

Një javë nga dorëheqja për arsye familjare, ish-Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, edhe më tutje po merr nderime, falënderime e lamtumira në Prishtinë.  Dy ditët e fundit, pushteti ia ka organizuar dy festa. Gjersa kishte dyshime për arsyet e dorëheqjes lidheshin me mospjatime brenda Qeverisë. Kryeministri Kurti i përmendi sëmundjen e gruas, të cilën ministri nuk e komentoi asnjëherë. Kurti e ka theksuar mbrëmë se ish-ministri kishte raporte shumë të mira me bashkëpunëtorët. Mehaj, sipas reagimeve për të, po largohet nga detyra si emri më unitar i Qeverisë Kurti. Atë e nderoi edhe opozita dhe përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it.

Armend Mehaj, ministër i Mbrojtjes në Qeverinë Kurti II, dha dorëheqje një javë më parë, “për arsye familjare”. Derisa aludohej për mosmarrëveshje të Mehajt me zyrtarë partiakë të Lëvizjes Vetëvendosje, Kryeministri Albin Kurti dhe zëdhënësi i tij thanë se ai dha  dorëheqje për shkak të një sëmundjeje të rrallë të gruas së tij. Mehaj, familja e të cilit jeton në Norvegji, prej nga ka ardhur edhe ai për t’iu bashkuar Qeverisë, nuk e konfirmoi, apo komentoi asnjëherë arsyen.

Mehaj u largua nga Qeveria, por jo edhe nga Kosova. Përcjellja e tij zgjati gjashtë ditë, si për asnjë zyrtar tjetër të dorëhequr.

Pritjet lamtumirëse, lëvdatat, falënderimet dhe keqardhjet për largimin e Mehajt, nisën fillimisht t’i shprehin ambasadat e huaja.

Pasi u largua nga zyra e Kurtit në takimin që supozohej të ishte lamtumirës, Mehaj shkoi në Ambasadën amerikane në Prishtinë, për një takim me Ambasadorin Hovenier. Ndonëse raportet Qeveri – SHBA ishin përkeqësuar muajt e fundit, Diplomati amerikan kishte fjalë superiore për ministrin Mehaj.

“E vlerësova mundësinë që të falënderoj ish-Ministrin e Mbrojtjes, Mehajn, për shërbimin e tij, bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe partneritetin gjatë mandatit të tij. Ia dëshiroj të gjitha të mirat në angazhimet e tij të ardhshme“, shkroi Hovenier.

Foto: Ambasadori Jeff Hovenier/Twitter

Menjëherë pas lajmit të largimit të Mehajt, keqardhje shprehu edhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.

Ndryshe prej zyrtarëve të tjerë qeveritarë dhe partiakë të LV-së, Mehaj nuk kishte vizatuar vijat e kuqe ndaj ish-pushtetarëve. Përderisa kolegët e tij kishin “20 vjecarin e shkuar” përgjigje për çdo akuzë, Mehaj disa herë ka mbledhur paraardhësit e tij në Ministri, që ishin prej partive opozitare, si Anton Qunin e Haki Demollin e LDK-së, Rrustem Berishën e AAK-së.

Siç nuk ndodh rëndom, për dorëheqjen e Mehajt u vinte keq edhe opozitës. Disa zyrtarë të partive opozitare kanë shprehur falendërime ndaj tij.

“I nderuar ministër Mehaj, faleminderit për shërbimin ndaj atdheut!”, ka shkruar ish-Kryeministri Ramush Haradinaj.

Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i LDK-së, e ka deklaruar disa herë që me ministrin Mehaj janë bërë miq gjatë detyrave të tyre. Ai shprehu keqardhje në ditën e largimit nga Qeveria, e më vonë ia dha “çelësin e Prishtinës”.

“Një profesionist i rrallë, njeri i vlerave perëndimore me të cilin pata një bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Vullneti dhe gatishmëria e Ministrit Mehaj për bashkëpunim përtej politikave partiake, për të mirën e vendit, është shembull për të gjithë”, shkroi Rama, në ditën e dorëheqjes së Mehajt.

Foto: Përparim Rama/Facebook

Ambasada gjermane në Prishtinë e nderoi Mehajn me një urdhër ushtarak, që iu dha në emër të Ministrit gjerman të Mbojtjes, Boris Pistorius.

“Është vërtetë nder që të pranohet një vlerësim i tillë nga një shtet partner i yni siç është Gjermania. Për më tepër kur theksohet bashkëpunimi i ngushtë, koordinimet dhe qëllimet e përbashkëta në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, shkroi Mehaj në Facebook, më 10 gusht.

Foto: Armend Mehaj/Facebook

Kur Mehajt po i shkonin lëvdatat nga të gjitha anët, Qeveria u angazhua me një seri pritjesh e falënderimesh për të.

Pak para mesnatës, mbrëmë më 14 gusht, Zyra e Kryeministrit dërgoi komunikatë për media me njoftimin për organizimin e pritjes lamtumirëse për ish-Ministrin, në oborrin e Kryeministrisë po këtë mbrëmje.

Në këtë pritje, Kryeministri Kurti vlerësonte se prej se u themelua Ministria e Mbrojtjes, Armend Mehaj është më punëtori, më i përkushtuari dhe më i suksesshmi në krye të saj.

“Gjatë 29 muajve sa ishte në detyrë ish ministri Mehaj, pothuajse është dyfishuar numri i ushtarëve, duke iu shtuar radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës 2,240 të rinj e të reja. Blerja e armatimit është rritur për 191%, do me thënë gati trefish më shumë sesa kur e ka marrë detyrën”, citohej të ketë thënë Kryeministri.

Fotografia: Zyra e Kryeministrit

Pas pesë ditëve prej kur e ofroi dorëheqjen, një takim falendësuese Mehajt ia organizoi më 13 gusht edhe Lëvizja Vetëvendosje, në një nga lokalet e kryeqytetit. Ishte vënë edhe një baner ku thuhej “Faleminderit Armend Mehaj”.

Fotografia: Lëvizja Vetëvendosje/Facebook

Edhe në ketë organizim, Kurti i ka rithënë ato që i ka deklaruar disa herë gjatë kësaj jave, për ministrin Mehajn dhe Ministrinë e Mbrojtjes në tërësi gjatë mandatit të tij.

Në faqen e Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook, u publikua edhe një video nga takimi falendërues për Mehajn.

Armend Mehaj u bë emër i njohur në masë, kur Kryeministri Kurti, pas fitores së 14 shkurtit të 2021-s, njoftoi se i kishte bërë ftesë për ta udhëhequr Ministrinë e Mbrojtjes. Mehaj ishte një ushtarak që kishte shërbyer në ushtrinë norvegjeze. Në biografinë e tij thuhej se ai ka shërbyer në disa misione paqeruajtëse, si në Kosovë, Irak, Afganistan, Çad dhe Afrikën Qendrore.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img