Qytetarëve të Kosovës i janë falur 100 euro të tatimit në pronë për vitin 2023, mirëpo viteve të tjera ata do të paguajnë faturat me ngritje.
Kështu thonë për Radio Kosovën nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. E përfaqësues të shoqërisë civile thonë se falja e këtyre mjeteve do të ndikojë në investime kapitale.
Miratimi i plotësim ndryshimit të Ligjit për Tatimin në Pronë, po vlerësohet se do t’i dëmtojë komunat me miliona euro. Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, komunat presin që të kompensohen për humbjet që do t’i pësojnë me faljen e 100 eurove në bazë të këtij projektligji.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se komunat në këtë rast do të pësojnë dëme financiare, sepse mjetet nuk do t’i kompensojë niveli qendror. Ai shpjegon për Radio Kosovën se kjo falje prej 100 eurosh për qytetarët, është vetëm për këtë vit.
“Qytetarët duhet ta dinë se vitin e ardhshëm do ta paguajnë faturën e tatimit në pronë me ngritjen që e ka bërë Ministria e Financave gjatë vitit 2023. Kjo falje do të vlejë vetëm për vitin 2023, sepse viteve të ardhshme do të paguhet fatura e tatimit në pronë me atë rritje që është bërë nga Ministria e Financave”, tha ai.
Sazan Ibrahimi tha se është e pakuptimtë që niveli qendror të marrë vendime për nivelin lokal.
“Ne jemi çuditur me urgjencën që Parlamenti i Kosovës e ka ndërmarrë për sa i përket miratimit të këtij ligji, sepse kemi pritur që së pari të konsultohen kryetarët e komunave dhe komunat, sepse tatimi në pronë dhe të hyrat nga tatimi në pronë janë të hyra të komunave e nuk janë të nivelit qendror”, deklaroi ai.
E hulumtuesi i Iniciativës për Progres (INPO), Valmir Ilazi, konsideron se falja e 100 eurove të tatimit për qytetarët është e mirëpritur. Mirëpo, ky vendim, siç thotë ai, do të ndikojë në të hyrat e komunave.
“Do të ndikojë në uljen e të hyrave të komunave duke qenë se burimi kryesor i komunave është tatimi dhe do të ndikojë të projektet dhe investimet kapitale që komunat tashmë i kanë në plan të prokurimit”, deklaroi Ilazi.
Ndërkaq në Kuvendin e Kosovës ka kaluar ligji i cili shtrenjton tatimin në pronë. Ndryshe tatimi në varësi të vlerës së pronës diku është rritur 100%, e diku ka mbetur i njëjtë.