1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Personat me aftësi të kufizuara nuk gjejnë punë

Megjithëse Ligji për aftësim, riaftësim dhe punësim për personat me aftësi të kufizuara i obligon institucionet që të punësojnë një persona me nevoja të veçanta në çdo 50 të punësuar, ai nuk ka gjetur zbatim në Kosovë, thonë vetë kjo kategori e shoqërisë.

Sipas tyre, në Kosovë nuk ka as statistika se sa persona me aftësi të kufizuara punojnë në sektorin publik dhe as në atë privat.

Institucionet në Kosovë megjithatë nuk kanë të dhëna të sakta rreth numrit të personave me nevoja të vecanta.

Bazuar në parimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 10 deri në 15 për qind e popullatës në botë e përbëjnë personat me aftësi të kufizuara.

Osman Shatri, thotë se ka qenë njëri nga pjemarrësit kur është hartuar ligji për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

Edhe vetë me aftësi të kufizuara Osman Shatri për Radion Evropa e Lirë thotë se ligji gjen shumë pak zbatim në vend.

“Ligji për aftësim, riaftësim dhe punësim për personat me aftësi të kufizuar obligon ndër të tjera të gjithë punonjësit në sektorin publik, po ashtu edhe në atë privat, të punësojë një person me aftësi të kufizuar në cdo 50 të punësuar. Por zbatimi i kësaj dispozite është shumë i vogël, sidomos në sektorin publik, e që do duhej të ishte shembull për punësim për personat me aftësi të kufizuar. Po ashtu punësimi është shumë i vogël edhe në sektorin privat”, ka thënë zoti Shatri.

Sipas tij, ndonëse ligji ka obliguar Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale që të mbajë statistika për personat e punësuar që kanë nevoja të veçanta, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

‘’Ligji ka obliguar Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që të mbajë statistika, por nga përvoja jonë e punës me Ministrinë, ata nuk i mbajnë këto statistika. Ato mund të gjinden veç e veç tek çdo punëdhënës’’, ka thënë Shatri.

Kryeinspektori Basri Ibrahimi nga Inspektorati i Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka deklaruar se ky ligj nuk është shumë i zbatueshëm për shkak të instrumenteve të dobëta që i kanë edhe inspektorati i punës, për të shtyrë punëdhënësin që të punësojë persona me aftësi të kufizuara.

Por, zoti Ibrahimi ka shtuar se janë duke punuar në ndryshimin e këtij ligji përmes udhëzimeve administrative, e që me pas do të obligojnë punëdhënësin që ta zbatojë ligjin.

“Është paraparë që një pagë minimale do t’u paguhet personave me aftësi të kufizuar, nëse nuk zbatohet ligji nga punëdhënësi. Këtij ligji do t’i bashkangjiten udhëzimet administrative e që do të rregullojnë procedurën dhe pas kësaj krijohen mundësi më të mëdha dhe do të jetë funskional. Më pas edhe ndikimi i inspektoratit të punës në kompani është shumë më i madh. Në qoftë se nuk punëson kompania një person me aftësi të kufizuar ajo duhet të paguaj një pagë minimale për ta”, ka thënë Ibrahimi.

Por, Megjit Foniqi kryetar i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, ka thënë se ndonëse ligji aktual për punësimin e personave me aftësi të kufizuar nuk respektohet, deri më tani asnjë institutcion publik e as privat nu kështë dënuar për këtë cështje.

“Deri më sot asnjë institucion qoftë publik apo privat nuk është penalizuar ose dënuar për moszbatimin e ligjit. Ndonëse nuk i përmbushin as për së afërmi kriteret. Ligji në fjalë përcakton penalizim për ata që nuk e bëjnë punësimin e personave me aftësi të kufizuara”, ka thënë Foniqi.

Sidoqoftë numri i përgjithshëm i të punësuarve në Kosovë, sipas shifrave zyrtare, llogaritet të jetë 347 mijë persona apo 72 për qind e fuqisë punëtore në vend. (REL)

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img