2.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Statuti i Asociacionit kur të zhbëhen strukturat paralele

Autoritetet në Prishtinë kanë mohuar zërat për fillimin e hartimit të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke theksuar se nuk janë përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e punës në këtë çështje.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se Beogradi zyrtar e ka ngadalësuar gjithë procesin e dialogut duke zvarritur zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe kanë shprehur mosbesimin e tyre në fillimin e punës së shpejtë në hartimin e statutit të Asociacionit.
Nga mesi i muajit të kaluar ka patur njoftime se kryetarët e komunave në veri të Kosovës kanë filluar hartimin e një statuti të Asociacionit, për ta përshpejtuar sic u tha punën në krijimin e tij në Kosovë.
Por, ministrja për dialog në Qeverinë e Kosovës Edita Tahiri pak ditë më parë i deklaroi Radios Evropa e Lirë se grupi menaxhues, i krijuar më 2013 nuk është kompletuar ende dhe për fillimin e punës së tij duhet t’i bashkohen edhe përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës të Bashkimi Evropian dhe OSBE-së.
Tahiri tha se Asociacioni nuk mund të krijohet pa zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
“Nuk e fillojmë hartimin e statutit, pa i plotësuar Serbia tri marrëveshjet, përkatësisht pa i hequr bllokadat për kodin telefonik shtetëror të Kosovës, pa heqjen e barrikadës nga ura e Ibrit dhe nisjen e KOSTT-it si sistem i pavarur i transmisionit”, ka deklaruar Tahiri.
Një takim i ri i Prishtinës dhe Beogradit për cështjet e interesit të përbashkët, në kuadër të dialogut në Bruksel do të rihap për biseda problemin e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Ministrja për dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, që udhëheqë delegacionin e Prishtinës në dialog, ripërsëriti të hënën qëndrimin e thënë nga kryeministri Isa Mustafa, se pa “zhbërjen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, nuk do të ketë as themelim të Asociacionit”.
“Mendoj se ky proces do të zhvillohet në mënyrë të koordinuar”, tha Mustafa.
Por, ministrja Tahiri në një komunikatë që e ka përcjellur tek mediat pak përpara fillimit të takimeve me delegacionin e Serbisë në Bruksel, ka mohuar se Asociacioni do të ketë kompetenca ekzekutive
“Ai as nuk do të jetë një nivel i tretë i qeverisjes, sepse këto kompetenca nuk i lejohen nga ligjet Kushtetuta e Kosovës, dhe se Marrëveshja bazohet në Ligjet e Kosovës”, thuhet në kumtesën e ministres Tahiri.
Por, për serbët Asociacioni nënkupton ëshë një lloj, sic thonë mbijetesë dhe si i tillë do të mbrojë interesat e komunitetit serb në Kosovë. Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, kanë akuzuar delegacionin e Kosovës dhe kryeministrin Mustafa se po zvarrisin, siç thonë, zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin, duke vënë siç thuhet, kushte të reja.
Drejtori i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq, në reagimin e tij ndaj kushtëzimeve të kryeministrit Mustafa për themelimin e Asociacionit ka deklaruar se Brukseli duhet të bëjë presion mbi Prishtinën për zbatimin e marrëveshjeve.
Takimet e palëve në Bruksel në nivel teknik janë rikthyer pas një periudhë të pushimit, për shkak të problemeve në Prishtinë me kundërshtimet e opozitës ndaj asociacionit dhe demarkacionit dhe njëkohësisht për shkak të një cikli të ri zgjedhor në Serbi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, Branimir Stojanoviq, pak kohë më parë ka deklaruar se është e sigurt se bashkësia ndërkombëtare ka bërë një presion të madh sepse një kohë për Asociacionin as që është folur.
Ai ka deklaruar se pala serbe do të vazhdoj betejën që Asociacioni të mos konsiderohet si një organizatë joqeveritare, por ashtu siç është arritur marrëveshja në Bruksel.
“Sigurisht se nuk do të jetë e thjeshtë, meqë insistimi i tyre (palës shqiptare) që Asociacioni të jetë një organizatë joqeveritare do të vazhdojë, por ne do të vazhdojmë të këmbëngulim që Asociacioni të jetë pikërisht ajo që është dakorduar në Bruksel dhe jo ajo që do të ishte më e pëlqyeshme për opinionin publik shqiptar”, ka deklaruar Stojanoviq.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, është paraparë të themelohet me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, por u rrumbullakësua me një marrëveshje për parimet e themelimit të tij në vitin 2015.
Nënshkrimi i marrëveshjes në Bruksel për Asocacionin, nxiti kundërshtimet e partive politike opozitare në Prishtinë, që pamundësuan edhe mbajtjen e seancave të Kuvendit.
Kundërshtimi çoi Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese, përmes një kërkesë të ish-presidentes Jahjaga, ndërkohë që Gjykata vendosi se një pjesë e parimeve ishte në kundërshtim me frymën e Kushtetutës.
Prishtina zyrtare tha se do ta formojë Asociacionin, bazuar në vendimin e Gjykatës, kurse Beogradi zyrtar kërkoi respektim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Bashkimi Evropian bëri thirrje që të dyja palët në bisedime të zbatojnë marrëveshjet e arritura. (REL)

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img