Ministria për Situata Emergjente e Rusisë (MSER) ka thënë të enjten se 12 persona ende mungojnë, pas një shpërthimi në një fabrikë optike në qytetin Sergiyev Posad, si pasojë e të cilit u vra një person dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
Pesë nga 50 apo më shumë prej të lënduarve ndodhën në kujdes intensiv në një spital lokal, i cili ndodhet rreth 70 kilometra larg kryeqytetit rus, Moskë, raporton REL
Lidhur me këtë, Autoritetet ruse thanë se shpërthimi ndodhi në një depo të mjeteve piroteknike, e cila i ishte dhënë me qira një kompanie të quajtur Piro-Ross.
Sipas tyre, depoja ndodhet në premisën e Fabrikës Optike dhe Mekanike e Zagorskut, e cila prodhon mjete për shikim gjatë natës dhe mjete tjera optike për ushtrinë.
Dëshmitarët e rastit kanë thënë se shpërthimi ndodhi në fabrikën optike.
Komisioni Hetues Federal i Rusisë ka njoftuar se zyrat e Piro-Ross janë bastisur dhe se drejtori teknik i kompanisë është ndaluar, pasi është hapur rast kriminal për këtë incident.