Virtyt Ibrahimaga, avokati mbrojtës i ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, ka thënë se Gjykata e Apelit ka vendosur që ta lirojë nga paraburgimi këtë të fundit, pasi që Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë përmes së cilës vërtetohet se atij duhet t’i vazhdohet paraburgimi.
Në një lidhje direkte në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka shtuar se para se të caktohet masa e paraburgimit, duhet të zhvillohen hetimet, ndërsa sipas tij, në rastin e Krasniqit ka ndodhur e kundërta.
“Nuk ka aktakuzë kundër tij, ai vetëm dyshohet për tri vepra penale që ndërlidhen me dy kontrata. Themelorja ka kërkuar që ai të mbetet në paraburgim derisa të intervistohen dëshmitarët. Ai është në paraburgim nga 17 prilli për t’u intervistuar 7 dëshmitarë”, ka thënë Ibrahimaga.
“Kjo procedurë është nisur mbrapsht sepse përpara se të merret masa e paraburgimit, duhet të zhvillohen hetimet, e jo së pari paraburgimi e pastaj hetimet”, ka shtuar ai.
Sipas tij, Krasniqi është vetëm i dyshuar për vepra penale dhe ende nuk është paraqitur aktakuzë nga ana e Prokurorisë.
“Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë dhe në bazë të kësaj Apeli e ka marrë vendimin se nuk ka asnjë bazë ligjore për vazhdim të paraburgimit”, ka thënë ai tutje.