Pas disa ditësh në arrati, Policia ka arritur t’i identifikojë personat e dyshuar për një incident të zjarrvënies, që ndodhi te rruga “Asllan Pireva”, ku një veturë e parkuar u përfshi nga flakët. Pronarja e denoncoi rastin në Polici dhe si rezultat i nisjes së hetimeve, të dyshuarit tashmë janë kapur.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Bashkim Kopranin dhe Sylejmon Sherifin, të cilët janë arrestuar dje dhe më pas janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pasi kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe dorëzimin e kallëzimit penal, brenda afatit ligjor.
Edhe Policia e ka konfirmuar për Sinjalin arrestimin e dy të dyshuarve, që janë përfshirë në këtë rast.
Ndryshe, rasti dyshohet se ka ndodhur pas mesnate, kur të dyshuarit e kanë djegur veturën e viktimës, për motive akoma të panjohura.