12.4 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

Drejt zgjedhjeve të reja në veri në mënyrë antikushtetuese? Pushteti kërkon që puna të kryhet urgjentisht

Angazhimi i Qeverisë për ta përgatitur me shpejtësi një udhëzim administrativ që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja në veri, mund të sjellë një rezultat që do të shpallej jokushtetues, sipas deputetes Doarsa Kica-Xhelili. Kryeministri Albin Kurti beson se kjo është mënyra e duhur për të shkuar drejt zgjedhjeve dhe presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar që të punohet urgjentisht. Kryesuesi i grupit punues që po merret me të ka thënë se ajo “do të kryhet shpejt”. Në Bruksel ndërkaq po presin më shumë informacione për vendimin e MPAPL’së.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë dhënë aprovimin që një grup punues i themeluar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ta hartojnë urgjentisht një udhëzim administrativ që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja në veri të vendit, të cilat i kërkon bashkësia ndërkombëtare.

Deputetja e LDK-së, juristja Doarsa Kica-Xhelili i ka paralajmëruar dy ish-bashkëpunëtorët e saj në krye të shtetit se “një udhëzim sikurse po flitet do të ishte jokushtetues dhe joligjor”.

Shefi i Qeverisë e thekson vazhdimisht nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale që sipas tij thotë se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është e mundshme nëse 20% e elektoratit nënshkruajnë një peticion. Megjithatë, deputetja Kica-Xhelili thotë se ky nen ka mundësi “plotësisht të kufizuara”.

“Neni 72, nuk jep autorizime shtesë për KQZ-në, e aq më pak për Qeverinë e Republikës së Kosovës, që të zgjeroj kompetencat e saj në përcaktimin e çfarëdo forme tjetër apo edhe në sqarimin e detajeve specifike me rastin e aplikimit të Nenit 72. Kjo, për arsye se i gjithë procesi i nismës së tillë ka të bëj me të drejtën dhe formën e votimit, dhe do të rrezikonte ndërhyrje në votën e lirë”, shkroi ajo të premtën në Facebook.

Prandaj, sipas saj, pyetja eventuale apo forma e parashtrimit të pyetjes së nismës “nuk guxon të jetë kurrsesi çështje që rregullohet me udhëzim administrativ” Ekzekutivi “nuk ka dhe nuk guxon të ketë asnjë autorizim për implementimin e dispozitave zgjedhore të ligjeve pozitive (të aplikueshme) sepse ato janë përcaktues të votës së lirë”, sipas deputetes. “Për më tepër, nuk mund të bëhen as rregullime që mund prodhojnë efekte retroaktive që prekin mandatet ekzistuese”.

“Në secilin rast, nëse Qeveria apo KQZ dalin me një udhëzim të tillë, gjasat janë shumë të mëdha që ai do të jetë jokushtetues”, shkroi ajo.

Kjo iniciativë e Qeverisë, Kica-Xhelili konsideron se “rrezikon sundimin e ligjit përmes shkeljeve kushtetuese” dhe se “është jo vetëm standard i dyfisht e jodemokratik, por me potencial të rrezikshëm për vendin dhe si i tillë nuk duhet të lejohet”.

Avokati i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Fetahu ishte i paqasshëm për t’iu përgjigjur interesimit të Gazetës Express në lidhje me këtë. Ai i ka përpiluar disa kërkesa të opozitës që rezultuan me vendime të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e disa ligjeve të miratuara nga Qeveria.

Grupi punues po punon: Në shtator gati udhëzimi administrativ

Një grup zyrtarësh tashmë janë duke punuar për ta hartuar një udhëzim administrativ që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja në veri të vendit duke i larguar fillimisht kryetarët aktualë nga detyrat.

Pasi kryeministri Albin Kurti tha më 26 korrik se po bëhen gati për zgjedhje të reja në veri të vendit, saktësisht dy muaj pasi kryetarët e rinj shqiptarë atje u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë, pesë ditë më vonë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nisi procedurën për hartimin e udhëzimit administrativ lidhur me iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave. Vendimi i 31 korrikut që mban nënshkrimin e ministrit Elbert Krasniqi parasheh formimin e një grupi punues për t’u marrë me këtë proces. Ministri e konfirmoi këtë pasi dokumenti u bë publik në media.

Besim Myrtezani, kryesues i këtij grupi punues i tha Gazetës Express të enjten se kishin dy ditë që kishin nisur punën që ai tha se “do të kryhet shpejt”.

“Besoj që shpejt e bëjmë udhëzimin. Tash janë rregullat e përcaktuara me ligjin për vetëqeverisje lokale. Ka me u bë veç procedura me KQZ-në. Puna po ecën mirë”, tha Myrtezani.

Për ta përgatitur dokumentin kanë kohë deri më 1 shtator.

“Grupi Punues është përgjegjës për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave. Grupi punues duhet të finalizojë projekt-udhëzimin administrativ, dhe ta procedojë te Zyra e Sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së deri më datën 01 shtator 2023”, thuhet në vendimin e MAPL-së.

Angazhimi i Qeverisë së Kosovës në këtë mënyrë vjen pas marrëveshjes së arritur me Bashkimin Europian më 10 korrik për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Qeveria u pajtua, siç njoftoi vetë, që “pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs” dhe që ta “shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve”.

BE-ja preferon që zgjedhjet të bëhen përmes dorëheqjeve të kryetarëve aktualë për shkak të rrugës më të shkurtër, por kryeministri Albin Kurti thotë se nuk mund t’i detyrojë ata ta bëjnë këtë gjë dhe thekson vazhdimisht shkuarjen drejt zgjedhjeve përmes nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale.

Por, të premten, zyrtarë të BE-së thanë se janë në pritje të më shumë informacioneve për vendimin e MAPL’së.

“BE-ja vë në dukje vendimin e Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal për të krijuar një grup pune për peticionet lokale për tërheqje. BE-ja pret të marrë më shumë informacion nga autoritetet për hapat e mëtejshëm konkretë që do të çonin në mbajtjen e këtyre zgjedhjeve”, theksoi një zëdhënëse në Bruksel.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img