Trafikuesit shqiptarë të emigrantëve kanë gjetur një mënyrë të re për të përfituar para, veç atyre që marrin duke çuar emigrant të paligjshëm në Britani.
Ata tashmë marrin para edhe nga kriminelë të kërkuar, përfshirë edhe vrasësit, për t’u arratisur përmes La Manshit, sipas një artikulli të Daily Mail.
Media britanike shkruan se shqiptarët po reklamojnë me paturpësi udhëtime emergjente në pjesën e pasme të kamionëve për ‘njerëzit që kanë probleme dhe duan të largohen sa më shpejt nga Anglia’.
Njëri deklaroi për një gazetar të Daily Mail se mund të arratisej nga Britania e Madhe për 3,000 paund. Një tjetër llogari kontrabandisti që funksionon në Tiktok ofron një shërbim me porosi prej 17,500 paund për t’u shpëtuar kriminelëve duke falsifikuar dokumente që ata të paraqiten si shoferi i dytë në kabinën e një kamioni. Trafikanti tha se truku përdorej në mënyrë rutinore për të nxitur emigrantët e paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Policia britanike po ndjekin të paktën 38 kriminelë të dyshuar shqiptarë, përfshirë 9 të kërkuar për vrasje dhe dy përdhunues të dyshuar.
Dyshohet se disa prej tyre mund të jenë larguar nga Mbretëria e Bashkuar me ndihmën e kontrabandistëve.
Reklamimi në TikTok, i gjetur nga Mail thotë: “Njerëzit që duan të largohen nga Anglia sa më shpejt të jetë e mundur, për të shkuar në Francë ose Belgjikë në pjesën e pasme të kamionit. Çmimi 2500 sterlina”.
Një tjetër llogari në TikTok kishte mbi 140 video me reklama të tilla për hyrje dhe dalje me kamion. Ndërsa një faqe e tretë e drejtuar nga një bandë tjetër kërkon kontakt të drejtpërdrejtë nga kushdo që dëshiron të kthehet në BE nga Anglia me kamion.
Faqja kishte mbi 40 postime, shumë prej të cilave ofronin kalim të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar ose me kamion ose me jaht.
Kur një gazetar i infiltruar i Daily Mail kontaktoi këtë faqe dhe la të dhënat e tij, ai mori një mesazh nga një kontrabandist shqiptar me një numër telefoni në Mbretërinë e Bashkuar. Në shkëmbimet e mëvonshme në WhatsApp, gazetari u justifikua se një i afërm i tij në Mbretërinë e Bashkuar duhej të arratisej sa më shpejt që të ishte e mundur, sepse ai kishte goditur me thikë një anëtar të bandës rivale që po përpiqej të grabiste shtëpinë e tij të kanabisit. Viktima kishte vdekur më vonë në spital. Historia ishte e sajuar.
Duke kërkuar vetëm 3 mijë £ për në Francë, kontrabandistit iu deshën vetëm disa minuta për të transmetuar një kod postar të një parku në periferi të Ashford, Kent, një autostradë e vogël nga tuneli i Channel dhe Dover. Takimi ishte për në orën 1 të mëngjesit.
“Njeriu juaj duhet të jetë në atë adresë sonte. Është një restorant i vogël dhe një pikë karburanti. Shoferi do të jetë aty. Dorëzoi paratë shoferit dhe pa asnjë shqetësim ai do të jetë në Francë. Thuaji njeriut tënd se nëse shoferi kërkon detaje, t’i thotë që ka një problem urgjent familjar dhe dëshiron të dalë sa më shpejt”.
Një tjetër llogari kontrabandisti e quajtur “Travel Agency London” thotë se për 17 500 £ të merrte nga një banesë në Leeds. Ai premtonte një udhëtim në kabinën e një kamioni belg për të dalë jashtë Mbretërisë së Bashkuar duke të kompletuar me dokumente të rreme udhëtimi.
Të dyshuarit shqiptarë në kërkim kanë arritur të arratisen nga Britania e Madhe në shumë raste.
TikTok ndaloi llogaritë e kontrabandistëve pasi u njoftua nga Daily Mail, por kur faqe të tilla hiqen ato zakonisht rishfaqen shpejt në një formë tjetër të ngjashme. Një zëdhënës i TikTok tha: “Ne kemi zero tolerancë për përmbajtjen që lehtëson kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Videot dhe llogaritë në fjalë janë ndaluar dhe ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me zbatuesit e ligjit në Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët për të gjetur dhe hequr përmbajtje të kësaj natyre.”/ALBEU