Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas të shtënave me armë në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, ku nga plagët vdiq një person e u lënduan 20 të tjerë.
Haradinaj ka thënë se organet e rendit dhe ligjit duhet të ndërmarrin të gjitha masat për ndëshkimin e fajtorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë, por si hap i parë i parandalimit të rasteve të tjera të ngjashme, që edhe mund të përsëriten, është krijimi i menjëhershëm i Policisë së Kryeqytetit.
“Kur është miratuar Ligji për Kryeqytetin, njëra prej pjesëve më të rëndësishme të tij, ka qenë krijimi i Policisë së Kryeqytetit. Ngjarja tragjike e natës së mbrëmshme në një lokal në Prishtinë, me përmasa shqetësuese e pasoja të rënda, shumëfish e shtron nevojën e zbatimit të këtij Ligji dhe krijimin e Policisë së Kryeqytetit”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, 21 persona kanë mbetur të lënduar pas të shtënave me armë zjarri në një lokal në qendër të Prishtinës, katër prej të cilëve nga arma e zjarrit. Rasti raportohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje.
Një prej të plagosurve ka vdekur sot, në orët e para të mëngjesit.
Lajmin e ka konfirmuar doktori Shaqir Uka nga Klinika Intensive, i cili tha se bëhet fjalë për një 39-vjeçar.
“Po, ka vdekur një prej personave të plagosur mbrëmë, një 39-vjeçar. Ai ishte nën kujdesin intensiv kishte intervenim kirurgjik por për shkak të lëndimeve të mëdha, fatkeqësisht ka vdekur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm”, ka thënë Uka për Express.
Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se 17 persona, tre burra dhe 14 gra, kanë marrë lëndime si pasojë e thyerjes së gotave-shisheve të qelqit.
Sipas Policisë, katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë), derisa një i dyshuar tjetër gjendet në arrati.
“Rr. Xheladin Hana, Prishtinë 04.08.2023-20:17. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra. Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati”, thuhet në raport.