Robert Lewandowski e ka pasur një vit mjaftë të mirë të parin në Barcelonë, ku arriti ta fitonte titullin e kampionit në La Liga.
Por përkundër se fituan titullin në La Liga, Barcelona dështoi në Evropë pasi u eliminua fillimisht nga Liga e Kampionëve pastaj edhe nga Liga e Konferencës.
Sulmuesi polak shpreson që në vitin e tij të dytë në Camp Nou të arrijë të triumfojë edhe në Ligën e Kampionëve me Barcelonën e tij.
“Unë e them gjithnjë se mosha është thjesht një numër, kur zgjohem në mëngjes nuk mendoj se po plakem. Pastaj shoh testet në vizitat mjekësore dhe gjithçka shkon mirë, parametrat janë në rregull”.
“Ndonjëherë, ndihem edhe më mirë se kur isha i ri. Sporti i këtyre viteve të fundit ka pësuar shumë ndryshime nga e kaluara dhe unë kujdesem shumë për fizikun tim, e përmirësoj çdo ditë atë. E di shumë mirë se çfarë duhet të bëj për të qëndruar në formë, kur përballem me të rinjtë e skuadrës marr edhe më shumë energji”, tha Lewandowski.
Tutje sulmuesi polak ka folur edhe për largimin e tij nga Bayern dhe thotë se u largua shkaku se dëshironte të ndryshonte stilin e jetesës.
“Doja të ndryshoja stilin e jetës, doja një shtet tjetër, një gjuhë të re dhe persona të rinj. Kam ëndërruar gjithnjë që të luaja në Spanjë dhe ishte momenti i duhur për të lëvizur”.
“Te Bayern i fitova të gjitha, arrita rekorde dhe tituj. Isha i lumtur aty, por e ndjeja se ishte momenti i duhur për të lëvizur”, u shpreh Lewandowski për ‘L’Equipe’.