Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar pas deklaratave të deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, i cili më herët i është përgjigjur një kritike të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, se PDK dhe LDK janë bashkëpjesëmarrës me kryeministrin Albin Kurtin “në të keqen që po i ndodhë vendit”.
Zemaj sot tha se këto deklarata i sheh si tendencë që AAK-ja të fitojë hapësirë opozitare.
Për këtë, Xhemaili tha se nëse mendojnë që Kurti po e dëmton vendin atëherë duhet ta rrëzojnë përmes mocionit.
“Përderisa partitë e tjera opozitare pajtohen që qeverisja Kurti është e dëmshme për vendin dhe se Kurti duhet sa më parë të shkojë në shtëpi, njëkohësisht hezitojnë ta mbështesin mocionin e mosbesimit të Aleancës. Ky është një tregues serioz i pavendosmërisë për të ruajtur vendin nga rreziqet që i sjell qeverisja. Prandaj tani është momenti që të tregojnë se si e mendojnë ata ta çojnë Kurtin në shtëpi, nëse jo përmes mocionit! Apo vërtetë presin që të ndodhë ndonjë mrekulli vetvetiu?”.
Ai tha se AAK nuk e ka ndihmuar Vetëvendosjen të vijë në pushtet dhe as nuk e mban.
“Sa për t’i rikujtuar gjithë atyre që akuzojnë se Aleanca paska ndihmuar ardhjen e Kurtit në pushtet, kjo le të mbetet në ndërgjegjen e secilit. As se kemi ndihmuar as nuk e mbajmë në pushtet. Mosrreshtimi pas nismës për mocion mosbesimi ndaj kësaj qeverie, mund të jetë zgjatje e agonisë në vend, me ose pa vetëdije. Ju që dini me e lexu Kushtetutën a po na tregoni si shkarkohet qeveria, nëse jo me mocion?”.