Fatos Bajqinovci vëllai i kryesuesit të Kuvendit, Pëllumb Bajqinovci është shpërblyer me mbi 18 mijë euro nga komuna e udhëhequr nga Përparim Rama.
Organizata joqeveritare “Sport4all” e cila udhëhiqet nga ai është përzgjedhur në mesin e mbi 200 organizatave për t’u subvencionuar.
Ndërkohë, emri i Pëllumb Bajqinovcit figuron si themelues i “Sport4all” bashkë me Fjoret Pruthin dhe Fatos Bajqinovcin.
Kjo organizatë merret me organizimin e aktiviteteve sportive.
Nga Komuna e Prishtinës e kanë arsyetuar vendimin duke thënë se “Pëllumb Bajqinovci nuk ka përfituar subvencion nga kryeqyteti, meqë ai ka qenë bashkëthemelues por nuk është pronar apo bashkëpronar”.
“Themeluesin e një organizate, institucioni apo kompanie nuk mund ta fshish nga biografia. Organizata në fakt ekziston që nga 2010-ta dhe vazhdimisht ka organizuar aktivitete të ndryshme sportive, e cila nga të gjitha qeveritë ka marrë subvencione për organizimin e këtyre aktiviteteve. Pëllumb Bajcinovci, nuk ka asgjë të bëjë me subvencionin. Përkrahja financiare kësaj organizate jo qeveritare i është dhënë pas vlerësimit nga komisioni i pavarur, i përbërë nga 5 anëtarë”, kanë thënë nga Komuna e Prishtinës për Kanal 10.
Komuna e Prishtinës ka ndarë rreth 620 mijë euro për 247 organizata joqeveritare.