Joe Biden nuk duket aspak i shqetësuar nga fushata e ashpër që rivali i tij më i predispozuar për të fituar garën për kandidim në Presidencialet 2024 mes republikanëve, Donald Trump, është duke bërë.
Edhe pse dy ditë më parë, Trump e fyeu duke e quajtur “burrë matuf”, Biden vazhdon i qetë pushimet përkrah bashkëshortes Jill.
Madje Presidenti amerikan duket se e ka humbur interesin edhe për 4 akuzat e reja që lidhen me komplotin për të përmbysur rezultatin e 2020, që iu komunikuan paraardhësit të tij.
Kjo pasi, pas relaksit në plazh, Biden është parë duke shkuar në kinema për të shijuar premierën e filmit Oppenheimer.
Por ajo çka tërhoqi vëmendjen gjatë qëndrimit të tij në plazh në Rehoboth, ishte fakti se Biden u rehatua aq sa mori edhe një sy gjumë në shezlong.
“Vështirë të ankohesh për këtë mot”, u tha presidenti gazetarëve më vonë pasdite, teksa ai dhe Jill u kthyen në shtëpinë e tyre private në plazh.
Biden tërhoqi vëmendjen po ashtu, pasi ai dhe bashkëshortja bënë edhe një shëtitje natën vonë në plazh për të parë superhënën që po shkëlqente mbi ujë. /A2CNN