Kosova vazhdon të jetë nën masat ndëshkuese të Bashkimit Europian pavarësisht se u arrit një marrëveshje për shtensionimin e situatës në veri të vendit. Masat që u vendosen përkohësisht mbesin në fuqi meqë shtetet anëtare ende s’janë të kënaqura me zbatimin e kësaj marrëveshje nga ana e Kosovës. Edhe për shkakun që Bashkimi Europian është në pushime të verës. Kryeministri Albin Kurti së voni s’ka kërkuar tërheqjen e masave, por po jep shenja se do t’i zbatojë zotimet marra në Bratislavë.
Kosova dhe BE u morën vesh që të shtensionohet situata në veri të vendit pas përplasjeve që shpërthyen me vendosjen në objekte komunale të kryetarëve të zgjedhur shqiptarë. Më 10 korrik zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe emisari europian Miroslav Lajçak u takuan në Bratislavë dhe pas takimit dolën me katër pika të hartuara se si duhet të ndodhë shtensionimi në Veri.
Pas zbatimit të pikës së parë një ditë pas marrëveshjes kur u urdhërua tërheqja e 25 përqind të prezencës policore në dhe përreth objekteve komunale, Kosova tashmë ka ndërmarrë edhe hapa të tjerë konkretë për të zbatuar këto pika dhe për të kthyer sërish qetësinë në komunat veriore.
Dakordimi që u arrit në Bratisllavë ka të bëjë edhe me organizimin e zgjedhjeve në Veri. Kosova shprehu pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve meqë edhe presidentja Osmani edhe kryeministri Kurti ishin në favor të opsionit që në zgjedhje të shkohet pasi të nënshkruhet një peticion i 20 përqind të votuesve të katër komunave.
Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, që udhëhiqet nga Elbert Krasniqi, të hënën ka nisur punën për nxjerrjen e një udhëzimi administrativ që i hap rrugë largimit të kryetarëve aktualë dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Ministria ka themeluar një Grup Punues për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave. Sipas vendimit, ky grup duhet ta finalizojë projekt-udhëzimin administrativ deri më 1 shtator 2023.
Ky hap iu kërkua Kosovës në pikën 3 të marrëveshjes Kosovë-BE.
Për të zbatuar edhe pikën 2, e cila kërkon që Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.
Sot pati një takim mes drejtorit të Përgjithshëm të PK-së, Gazmend Hoxha, komandantit të KFOR-it Angelo Michele Ristuccia, shefit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano dhe përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë.
Policia tha se ata diskutuan lidhur me vlerësimin e situatës së sigurisë në Republikën e Kosovës, përfshirë vlerësimin e situatës në veri të vendit.
Ndërkaq, KFOR në njoftimin për këtë takim tha se ata diskutuan gjerësisht masat e deeskalimit që “do të zbatohen në afat të shkurtër nga institucionet në Kosovë”. KFOR shtoi se takimi ishte pozitiv dhe konstruktiv dhe do të pasohet nga takime të mëtejshme periodike si në nivel teknik ashtu edhe atë ekzekutiv.
BE-ja gjendet në pushime verore dhe deri më tash nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara nga gazeta se kur do të hiqen masat e përkohshme meqë Kosova mori zotimin për të shtensionuar situatën në veri, përfshirë edhe zgjedhjet e reja.
Deri të shtunën kur s’kishte shenja se qeveria po bën ndonjë lëvizje për zbatimin e mëtejmë të kërkesave të BE’së, ndërkombëtarët kërkonin përmbushje të zotimeve nga Kurti.
“Ka pasur disa përparime, por ka ende zotime për t’u zbatuar, për shembull në koordinimin ndërmjet policisë së Kosovës dhe misioneve ndërkombëtare dhe në vlerësimin e sigurisë. Koha po kalon dhe nuk po shohim asnjë përparim. Po kështu, nuk shohim ndonjë progres as për zgjedhjet e parakohshme, as për miratimin e akteve nënligjore konform nenit 72 të ligjit të qeverisjes lokale për zgjedhjet. Pa miratimin e një akti nënligjor, qytetarët e Kosovës nuk mund ta shfrytëzojnë të drejtën që u jep ky ligj”, tha ai të shtunën në një intervistë për Gazetën Express.
Sidoqoftë, shqetësimet e diplomatëve Qeveria nisi t’i marrë parasysh në fillik të kësaj jave, por a do të mjaftojnë ato për t’i hequr masat e BE’së ndaj Kosovës?
Këto janë katër pikat e marëveshjes BE-Kosovë:
• Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.
• Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.
• Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.
• BE do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes.
Veprimet e sipёrpёrmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore.