7.3 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Kushtetuesja konstaton se shkarkimi i Bordit të RTK-së nuk ishte në përputhje me Kushtetutën

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se vendimi i Kuvendit të Kosovës më 8 korrik 2021 për ta shkarkuar Bordin e Radio Televizionit të Kosovës nuk është në përputhje me Kushtetutën, por vendimi nuk ka efekt prapaveprues dhe nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treta.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media të martën, nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Gjykata ka vendosur njëzëri që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme lidhur me efektet e Vendimit të kontestuar. Ndërsa, me pesë (5) vota për dhe dy (2) vota kundër, Gjykata ka vendosur të konstatojë që (i) Vendimi [nr.08-V-036] i 8 korrikut 2021 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të RTK-së nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës; dhe (ii) konstatimi i lartcekur, përkatësisht Aktgjykimi i Gjykatës, nuk ka efekt prapaveprues dhe nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treta”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Në njoftimin thuhet se, me pesë vota për dhe dy vota kundër, Gjykata ka vendosur të konstatojë që vendimi [nr.08-V-036] i 8 korrikut 2021 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të RTK-së nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës; dhe konstatimi i lartcekur, përkatësisht Aktgjykimi i Gjykatës, nuk ka efekt prapaveprues dhe nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treta”, thuhet në njoftim.

Aktgjykimi i Gjykatës fillimisht sqaron që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të transmetuesit publik, përkatësisht Bordit të RTK-së, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 8 korrik 2021. Siç sqarohet detajisht në Aktgjykimin që do të publikohet, shkarkimit kolektiv i Bordit të RTK-së, anëtarët e të cilit ishin zgjedhur në vitin 2018 dhe 2020, respektivisht, i kishte paraprirë shqyrtimi i Raportit Vjetor të RTK-së për vitin 2020 në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal dhe në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, të cilët pas shqyrtimit të të njëjtit, i kishin rekomanduar Kuvendit që (i) të refuzojë miratimin e Raportit të Vjetor për vitin 2020 të RTK-së; dhe (ii) mbi bazën e “paaftësisë profesionale” të shkarkojë të gjithë anëtarët e Bordit të RTK-së. Kuvendi i Republikës së Kosovës, në të njëjtën seancë, përkatësisht atë të 8 korrikut 2021, kishte refuzuar miratimin e Raportit Vjetor të RTK-së dhe kishte shkarkuar të gjithë anëtarët e Bordit të RTK-së.

Bazuar në të lartcekurat dhe shtjellimet tjera në Aktgjykim, Gjykata konstaton që në shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të RTK-së, përkatësisht shkarkimin kolektiv të bordit të transmetuesit publik për “paaftësi profesionale”, të konstatuar përmes shqyrtimit të Raportit Vjetor të RTK-së për vitin 2020, Kuvendi ka vepruar pa bazë ligjore në kontekst të shkarkimit të Bordit në tërësinë e tij, si pasojë e refuzimit të raportit përkatës vjetor dhe rrjedhimisht, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për RTK-në. Për pasojë, në nxjerrjen e Vendimit të kontestuar, Kuvendi ka tejkaluar kufijtë e kompetencës mbikëqyrëse të përcaktuar në paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës dhe për më tepër, ka cenuar pavarësinë e transmetuesit publikë, roli i të cilit është thelbësor për lirinë edhe pluralizmin e medieve në një shoqëri demokratike, në kundërshtim me vlerat e përcaktuara në paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Aktgjykimi gjithashtu sqaron që, në vlerësimin e çështjeve të ngjashme kushtetuese në kontekst të ushtrimit të funksionit të mbikëqyrjes të Kuvendit lidhur me institucionet që i raportojnë të njëjtit në bazë të ligjit, kur ligji i aplikueshëm ka mundësuar shkarkimin e bordeve përkatëse në tërësinë e tyre dhe rrjedhimisht, Kuvendi ka vepruar në përputhje me autorizimet ligjore, siç është rasti i Gjykatës KO139/21 lidhur me shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, Gjykata nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese. Thënë këtë, legjitimimi kushtetues i një vendimi të Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të bordit të transmetuesit publik në tejkalim të autorizimeve ligjore, do të përbënte një precedent të rrezikshëm për ndërhyrjen e shtetit në pavarësinë dhe autonominë e transmetuesit publik, përfshirë lirinë dhe pluralizmin e medieve në Republikën e Kosovës.

Vendimin e plotë të Kushtetueses mund ta gjeni KËTU.

Ndryshe, më 8 korrik 2021, Kuvendi i Kosovës shkarkoi Bordin e RTK-së të përbërë nga Sali Bashota, Agron Gashi, Lirim Geci, Fadil Miftari, Ilir Bytyçi, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Albinot Maloku. Shkarkimi u përcoll me kritika të ashpra nga opozita, e cila akuzoi pushtetin se po tenton ta kapë politikisht televizionin publik. Deputetë të opozitës e kishin çuar rastin në Kushtetuese./BetimipërDrejtësi

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img