Qeveria e Isa Mustafës ka miratuar mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale serbe në Kosovë. Mirëpo, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) thotë se këto zgjedhje nuk ekzistojnë.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë për “Indeksonline” se Komisioni që ajo drejton nuk merret fare me këto zgjedhje. Ajo ka sqaruar se këtë do ta bëjë OSBE-ja.
“Ne nuk kemi asgjë të bëjmë me këto zgjedhje. S`kemi asgjë. Për ne ato zgjedhje nuk ekzistojnë. Me këto zgjedhje merret vetëm OSBE-ja”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, OSBE-ja ka sqaruar se qendrat ku pritet të votohet, do të quhen si qendra grumbullimi ose degë përkatëse.
Lidhur me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve janë shprehur pakënaqësi nga ana e opozitës, për të cilët kjo përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës. Deri sa, për partinë që udhëhiqet nga kryeministri Isa Mustafa (LDK), është veprim i duhur që kësaj çështje nuk i është bërë bujë.
Zgjedhjet pritet të mbahen ditën e dielë, më 2 prill.