Gjermania ndan qëndrimin e BE-së se sanksionet ndaj Kosovës janë të përkohshme, por për t’u hequr nevojitet “angazhim konstruktiv” i zbatimit të kërkesave që ndërkombëtarët i kanë bërë për shtensionim. Këtë e ka bërë të ditur Ambasada gjermane në Prishtinë, në një përgjigje për Gazetën Express.
Javën e kaluar, Kryeministri Albin Kurti e ka pritur në zyrën e tij Emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Takimi ishte paralajmëruar nga Zyra e Kryeministrit të mbahej në 21.30, por për shkak të ndryshimeve në agjende, ishte mbajtur e përfunduar para kësaj ore.
Në asnjë njoftim nuk u zbulua se çka kishte biseduar Kurti me Sarrazinin. Ambasada gjermane i ka thënë Gazetës Express se nuk i komenton “përmbajtjet konfidenciale” të takimit bilateral në fjalë.
Vizita e emisarit gjerman ndodhi pas marrëveshjes së Kosovës me Bashkimin Evropian për shtensionimin e situatës në komunat veriore, përmes propozimeve që BE-ja i ka bërë më 3 qershor.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili e ka arritur marrëveshjen për shtensionim, është shprehur i çuditur që edhe më tutje BE-ja s’ka njoftuar asgjë për heqjen e sanksioneve, të cilat ia ka vënë Kosovës kur nuk po i pranonte kërkesat e tyre për shtensionim.
Në lidhje me deklaratat e Qeverisë së Kosovës për heqjen e sanksioneve të BE-së, Ambasada gjermane thotë se ndan qëndrimin e njëjtë të dhënë nga BE-ja.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se sanksionet janë të përkohshme, megjithatë edhe pas marrëveshjes, nuk është bërë e qartë se kur do të hiqen ato.
“Kishim një shkëmbim të mirë me Komisionin e Punëve të Jashtme në zhvillimet e fundit dhe situatën në veri. Unë shpjegova se masat e Bashkimit Evropian janë të përkohshme dhe të kthyeshme, por nevojitet një angazhim konstruktiv për të arritur de-eskalimin, siç kërkohet nga deklarata e BE-së më 3 qershor”, thuhej në reagimin e Szunyogut, të cilit i referohet Ambasada e Gjermanisë.
Në marrëveshjen me BE-në për de-eskalimin e situatës në veri, Kosova është zotuar që të mbajë zgjedhje sërish në katër komunat veriore, pasi vendosja e kryetarëve shqiptarë që u zgjodhën në prill e ka tensionuar veriun.
Zv.kryeministri Bislimi ka thënë në një takim me gazetarët javën e kaluar se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.
Siç citohej nga Radio Evropa e Lirë, ai ka thënë që është në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e sanksioneve, pas pajtueshmërisë së arritur mes Kosovës dhe BE-së në Bratisllavë, dhe tërheqjes së 25% të forcave policore nga ndërtesat komunale në 4 komunat veriore.