Naim Ramizi tash e 22 vjet vazhdon të kërkojë nga Gjykata Themelore e Gjilanit që tua mundësojë të drejtën e tij që të ketë të drejtë mbi pronën, të cilën babai i tij, Nehat Ramizi, e kishte blerë në vitin 2000 nga serbi Dimitrije Stojanoviq.
Stojanoviq, në vitin 2000, kishte shitur dy prona, njërën të tijen dhe tjetrën të djalit të tij, por që të dyja pronat ishin në emër të tij, raporton Kiks Kosova.
600 mijë marka gjermane i kishte kushtuar Nehat Ramizit blerja e 2 ngastrave kadastrale, njëra me hapësirë 2 ari e tjetra 3.19 ari si dhe shtëpia për 99 metra katror nga Dimitrije Stojanoviqi.
Atëkohë gjithçka dukej në rregull, pasi Ramizi u pajis me kontratë të shitblerjes, të cilën madje e vërtetoi edhe në Gjykatën e Gjilanit.
Disa muaj pasi Ramizi e zyrtarizoi blerjen e tij, u shfaq Bekim Korça, një pronar tjetër për ngastrën ku ndodhej shtëpia.
Ky i fundit, i cili kishte marrë me qira lokalin e Dimitrije Stojanoviqit, pretendon se kishte blerë shtëpinë nga Stojanoviqi.
I ndodhur përballë këtij fakti, Nehat Ramizi, të cilit iu pamundësua edhe shfrytëzimi i pronës së tij, vendosi që një pjesë të të hollave për blerjen e këtyre ngastrave të mos e paguante deri kur të merrte në shfrytëzim pronat e tij.
Mirëpo, Stojanoviqi, që mendohet se dy herë shiti pronën e njëjtë, ushtroi padi për anulimin e kontratës, me arsyetimin se kontrata nuk ishte përmbushur nga Nehat Ramizi.
Historia që mori kthesa të çuditshme vazhdoi me tërheqjen e padisë nga Stojanoviqi, pasi Nehat Ramizi, përkundër bllokadës së pronës së tij, përfundoi të gjitha obligimet që kishte ndaj pronarit serb.
Që nga koha kur babai i Naim Ramizit, Nehati, vendosi të blejë këtë pronë, kanë kaluar 23 vjet, por familja e tij ende endet nëpër gjykatën Themelore të Gjilanit, duke kërkuar të drejtën e mohuar.
Deklarimet e Stojanoviqit ndër vite janë kundërthënëse, ani pse i njëjti, në një dokument të vitit 2008, i cili mban firmën e avokatit Momçilo Kovaçeviq dhe është i vulosur në gjykatën e Nishit të Serbisë, Stojanoviq kishte deklaruar se me vetëdije të plotë pranon se prona, për të cilën po zhvillohet kontesti pronësor, i takonte Nehat Ramizit dhe se pronar legjitim i asaj parcele ishte vetëm ai.
Por Naim Ramizi ka shpjeguar për Kiksin se Stojanoviqi në vazhdimësi kishte pasur deklarata kundërthënëse, ani pse kjo e Nishit ishte në favor të familjes Ramizi.
Stojaoviq, në njërën nga seancat gjyqësore në Gjilan, kishte deklaruar se nënshkrimet e vendosura në kontratën me Nehat Ramizin janë të falsifikuara, e për këtë gjykata kishte kërkuar ekspertizën nga Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht në Njësinë për dokumente, fotografi dhe analizë të zërit.
Ky departament do të vërtetonte se kontrata ishte origjinale e bashkë me të edhe nënshkrimet në atë kontratë ishin autentike.
Ramizi dyshon në drejtësinë e Gjykatës Themelore të Gjilanit, duke i quajtur si të korruptuar. Ai pretendon se Bekim Korça ka ndikuar te gjykatësi i rastit sepse, sipas tij, është e pakuptimtë që lënda të kthehet tri herë në rigjykim dhe gjykatësi merr të njëjtin vendim.
Ramizi thotë se nëse drejtësia vazhdon të mos i mundësojë që të futet në pronën e tij, të cilën e ka blerë nga Stojanoviqi, problemi vetëm se do të rritet.
Dhe ai ka frikë se do të arrijë ta gëzojë të drejtën e tij për të shfrytëzuar pronën që e kishte blerë për 600 mijë marka gjermane.