Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka shpallur fajtor 20 të akuzuarit për transportim, ndërmjetësim dhe shitje të armëve, falsifikim të parasë dhe armëmbajtje pa leje, duke i dënuar me 35 vite e 5 muaj burgim si dhe 42 mijë e 500 euro gjobë.
Aktgjykimi në fjalë u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Samir Ramic, Ifeta Ramic, Besim Metaj, Sefadin Kabashaj, Skender Arifi, Adhurim Fazlija, Arton Cenaj, Kujtim Sadikaj, Brahim Hoxha, Petrit Musaj, Fadil Pepic, Feratbegu Aliu, Skender Nuredini, Teki Ramadani, Berat Bajrami, Halim Neziri, Agron Maliqi, Hariz Asllani dhe Bekim Ukaj akuzoheshin se kanë kryer veprën penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve.
Kurse, Ifeta Ramic akuzohej edhe për falsifikim të parasë, ndërsa i akuzuari Salih Kutleshi ngarkohej për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari Samir Ramic, është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj si dhe dënim me gjobë në lartësi prej 4 mijë euro.
E akuzuara Ifeta Ramic për veprën penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve u dënua me 2 vite e 6 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë, ndërsa për veprën penale falsifikim i parasë u dënua me 1 vit burgim. Ndaj saj, gjykata ka shqiptuar dënim unik prej 3 vite burgim dhe 3 mijë euro gjobë.
Ndërsa, Besim Metaj dhe Sefedin Kabashaj secili veç e veç u dënua me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 viteve si dhe dënim me gjobë në shumë prej 3 mijë e euro.
Kurse, Skender Arifi është dënuar me dënim me 2 vite burgim dhe 500 euro gjobë.
Tutje, sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarit Adhurim Fazlija, Arton Cenaj, Kujtim Sadikaj, Brahim Hoxha, Petrit Musaj, Fadil Pepic, Feratbegu Aliu, Skender Nuredini dhe Agron Maliqi secili veç e veç janë dënuar me nga 14 muaj burgim si dhe me nga 1 mijë e 500 euro gjobë.
Ndërsa, të akuzuarit Teki Ramadani, Berat Bajrami, Halim Neziri, Agron Maliqi, Hariz Asllani secili veç e veç u dënuan me nga 2 vite burgim dhe nga 2 mijë e 500 euro gjobë.
I akuzuari Bekim Ukaj u dënua me 2 vite e 6 muaj burgim dhe dënim me gjobë në shumë prej 3 mijë e 500 euro.
Kurse, i akuzuari Salih Kutleshi për armëmbajtje pa leje u dënua më 1 mijë e 500 euro gjobë.
Të akuzuarve të cilët kanë qëndruar në masën e arrestit shtëpiak , koha e qëndrimit në arrest shtëpiak do t’iu llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim.
Në rast se të akuzuarit nuk mund ta paguajnë dënimin me gjobë, atëherë gjykata dënimin me gjobë do t’ua zëvendësoj me dënim me burgim duke ua llogaritur shumën prej 20 euro për një ditë burgimi.
Po ashtu, me anë të këtij aktgjykimi konfiskohen të gjitha sendet e luajtshme që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe sendet që i nënshtrohen konfiskimit automatik dhe atë sipas urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake.
Të njëjtit janë obliguar po ashtu që të paguajnë edhe shpenzimet procedurale në shumë prej 100 euro dhe 100 euro tjera për fondin e kompensimit të viktimave të krimit, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi, kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar me 21 janar 2022, Samir Ramic, Ifeta Ramic, Besim Metaj, Sefadin Kabashaj, Fadil Pepic, Petrit Musaj, Arton Cenaj, Adhurim Fazlija, Kujtim Sadikaj, Brahim Hoxha, Hajriz Asllani, Berat Bajrami, Halim Neziri, Skender Arifi, Skender Nuredini, Teki Ramadani, Feratbegu Aliu dhe Agron Maliqi akuzoheshin se kanë kryer veprën penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve.
Këtë vepër prokuroria pretendon se e kanë kryer nga periudha e panjohur kohore në vazhdimësi e deri me datën 29 shtator 2020, respektivisht deri me datën 14 prill 2021, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, me qëllim të furnizimit, transportimit, këmbimit, ndërmjetësimit dhe shitjes së paautorizuar së armëve, kanë transportuar, ndërmjetësuar dhe shitur armë të llojeve të ndryshme në mënyrë të paautorizuar, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme.
Këtë thuhet se e kanë bërë në atë mënyrë që i pandehuri Samir Ramic, sipas marrëveshjes me të pandehurin Besim Metaj, fillimisht ka siguruar armë të llojeve të ndryshme nga persona tani për tani të panjohur, të cilat i ka mbajtur në shtëpinë e nënës së tij, Ifeta Ramic, ashtu që të pandehurit tjerë Sefadin Kabashaj, Fadil Pepic, Petrit Musaj, Arton Cenaj, Adhurim Fazlija, Kujtim Sadikaj, Brahim Hoxha, Hajriz Asllani, Berat Bajrami, Halil Neziri, Skender Arifi, Skender Nuredini, Teki Ramadani, Feratbegu Aliu dhe Agron Maliqi, duke qenë në dijeni se të pandeuhrit Samir Ramic, Ifeta Ramic dhe Besim Metaj merren me shitblerjen e armëve dhe të interesuar për blerje të tyre kanë komunikuar fillimisht përmes telefonit me ta duke u marrë vesh për llojin dhe çmimin e armëve dhe municionet e pastaj janë takuar në vende të ndryshme, si restorante, pompa të derivateve e më së shpeshti në shtëpitë e tyre.
Sipas prokurorisë, pas përgjimit dhe vëzhgimit nga ana e personave zyrtarë, me 29 shtator 2020, janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse të disa prej të pandehurve me ç’rast në shtëpinë e të pandehurës Ifeta Ramic janë gjetur dhe sekuestruar një këllëf i pistoletës, ngjyrë e zezë, pajisje për pastrim të armës, kartëmonedhë 100 euro, pesë pistoleta SOG saëer P365 7.65 mm me nga një karikator, pushkë gjuetie dy tytëshe.
Në shtëpinë e të pandehurit Safedin Kabashaj, thuhet se janë gjetur e sekuestruar pushkë dhjetëshe gjysmë automatike, pushkë e gjatë, gjashtë fishek të pushkës karabinë, gjashtë fishekë të kalibrit 9×19, 7.62, dy fishek të kalibrit 9×17 RËS dhe një palë dylbi. Ndërkaq, në shtëpinë e të pandehurit Adhurim Fazlija thuhet se janë gjetur dhe sekuestruar një revole e tipit bereta 9mm, 95 fishekë të kalibrit 9×19 dhe dy karikator.
Në shtëpinë e të pandehurit Kujti Sadikaj thuhet se janë sekuestruar 71 fishekë të kalibrave të ndryshëm, kurse në shtëpinë e Hajriz Asllanit një pushke gjuetie Karatay Magnum, 109 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe një gëzhojë, pjesë pushke, një pistoletë Zoraki 917-T me një karikator të zbrazur, dhe një këllëf i pushkës së gjuetisë.
Tutje, thuhet se në shtëpinë e Berat Bajramit janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me mbishkrim SIG SAUER P 365 ca, 12.65 mm me një karikator, 107 fishekë me mbishkrim S&B 7.65 BR dhe 4 fishekë me mbishkrim MXT Audio 300 20, 9 fishekë të pushkës së gjuetisë me mbishkrim CHEDITT 12 mm plus një fishek me mbishkrim ELOOHI 36 Itali, një pistoletë, një karikator, pistoletë me gaz EKOL special 00 cal. 0 mm me një karikator, katër paketime me nga 60 fishekë me mbishkrimin 7.62CMB 1995, 50 fishekë gazi, 486 fishekë me mbishkrim Auto 300, 200 fishekë me mbishkrim S&B 6.35 mm Br, 234 fisheke me mbishkrimin 7. 65 Br 13 S&B.
Ndërkaq, thuhet se në shtëpinë e të pandehurit Skender Arifi, janë gjetur dhe sekuestruar një revole TT e kalibrit 7.62 mm M57 me një karikator, 10 fishekë të kalibrit 7.62mm, 34 fishekë të kalibrit 9mm, dy shishe vaj për pastrim të armës dhe një kuti me mjete për pastrim të armës. Ndërsa, në shtëpinë e Skender Nuredinit thuhet se janë sekuestruar, një pushkë, një pistoletë e vjetër e prodhuar mekanikisht, një kuti për pastrimin e armëve dhe katër shufra të metalit për pastrimin e armëve dhe në shtëpinë të pandehurit Feratbegu Aliu janë seku7estruar një armë gjuetie eksort magnum 68442, armë gjuetie hatsan escort dhe një magazinë e armës me 2 fishekë 12 mm.
E pandehura Ifeta Ramic po akuzohej se ka falsifikuar para në atë mënyrë që prej kohës së pavërtetuar deri me datën 29 shtator 2020 ka pranuar dhe posedua para të falsifikuar, ashtu që gjatë kontrollit të shtëpisë së saj janë gjetur dhe sekuestruar një kartëmonedhë prej 100-euro, e cila ka rezultuar të jetë totalisht e falsifikuar.
Ndërkaq, Salih Kutleshi akuzohej se ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, në atë mënyrë që prej kohës së pavërtetuar e deri me datën 14 prill 2021 ka mbajtur armë paautorizim ashtu që gjatë kontrollës në shtëpinë e tij i është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie dy tetëshe me 7 fishekë të kalibrit 12mm./BetimipërDrejtësi