Qeveria e Kosovës ka ndarë vetëm 20 mijë euro nga buxheti i saj për të përkrahur familjet e personave të zhdukur.
Kështu bëhet e ditur në raportin të cilin e ka siguruar Indeksonline. Ndërkohë janë realizuar më shumë se 20 operacione fushore, nga 15 lokacione të shënjuara në kërkim të mbetjeve mortore.
“Janë realizuar më shumë se 20 operacione fushore apo aktivitete gërmuese, të realizuara në 15 lokacione të shënjuara në kërkim të mbetjeve mortore të viktimave të luftës. Nga 15 lokacionet e proceduara, brenda territorit të Republikës së Kosovës, gjatë këtij viti, me gjetje të mbetjeve mortore të viktimave të luftës, kanë rezultuar 6 lokacione, ku janë zhvarrosur mbetjet mortore të 7 personave (numri minimal i individëve: 7)”, thotë raporti.
Ndërsa në 3 lokacione nga 15 të procedura kanë prezantuar edhe përfaqësuesit e Delegacionit të Serbisë. Ku janë kthyer për rivarrim mbetjet mortore të më shumë se 65 personave të zhdukur.
Në këtë mes janë përfshirë edhe pesë raste që iu janë dorëzuar familjarëve dhe autoriteteve të Serbisë në Pikë Kalimin Kufitar Porta 3 në Merdarë.
“ Në 3 lokacione, nga 15 lokacionet e proceduara në kuptimin e gërmimit vlerësues, kanë prezantuar edhe përfaqësuesit e Delegacionit të Serbisë. Ju janë kthyer për rivarrim mbetjet mortore të më shumë se 65 personave të zhdukur, të identifikuar. Nga rastet e dorëzuara, janë përfshirë edhe 5 raste që iu janë dorëzuar familjarëve dhe autoriteteve të Serbisë, në Pikë Kalimin Kufitar Porta 3, në Merdar”, thuhet më tej në raport.
Vendimi për ndarjen e 20 mijë eurove në përkrahje të familjeve të personave të zhdukur është bërë përmes projektit për rehabilitim në banja.
“Gjatë këtij viti, në bashkëpunim me Shoqatat Familjare të Personave të Zhdukur dhe janë realizuar edhe një sërë aktivitetesh me rastin e shënimit të 27 Prillit – Dita e të Pagjeturve të Kosovës dhe 30 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur. Qeveria ka aprovuar Vendimin për ndarjen e 20,000.00 (njëzetmijë Euro), për përkrahje të familjeve të personave të zhdukur përmes projektit për rehabilitim në banja”