9.8 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Serbia i mohon vazhdimin e lejes së qëndrimit aktivistit rus kundër luftës

Autoritetet e Serbisë i kanë mohuar vazhdimin e lejes së qëndrimit të përkohshëm aktivistit rus kundër luftës Vladimir Volokhonsky, më pak se dy javë pasi i refuzuan përkohësisht hyrjen Peter Nikitinit.

Këta dy shtetas rusë kanë themeluar organizatën joqeveritare Shoqëria Demokratike Ruse.

Shoqëria Demokratike Ruse – një shoqatë emigrantësh ruse në të cilën janë anëtarësuar dhjetëra mijëra njerëz që kur Rusia pushtoi Ukrainën – tha se Volokhonsky, i cili mbërriti nga Shën Petersburgu në maj të vitit të kaluar dhe iu dha një leje qëndrimi e përkohshme, u informua për vendimin më 25 korrik.

Volokhonski i tha Radios Evropa e Lirë se vendimi për mos vazhdimin e lejes së qëndrimit të tij është një “formë e presionit politik”.

“Meqenëse aktivitetet e mia, si të gjitha aktivitetet e Shoqërisë Demokratike Ruse, janë plotësisht publike dhe të ligjshme, nuk shoh asnjë arsye për ta konsideruar veten si një kërcënim për sigurinë e shtetit në asnjë mënyrë”, tha ai.

Pas kundërshtimit të tij të hapur ndaj pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Moska, Vladimir Volokhonsky, një këshilltar i opozitës në Shën Petersburg, u largua nga Rusia në muajin mars të vitit të kaluar. Këtë vendim ai e mori pasi u ndalua dhe shtëpia e tij u kontrollua nga autoritetet e sigurisë ruse.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Agjencia e Inteligjencës së Sigurisë nuk iu përgjigjën kërkesës së Radios Evropa e Lirë për një përgjigje se pse Volokhonskyt iu refuzua zgjatja e lejes së qëndrimit.

Volokhonsky është kërcënuar së bashku me kundërshtarët e tjerë të politikave të Kremlinit dhe luftës së tij në Ukrainë.

Ai ishte shënjestruar në Telegram nga organizata ruse e ekstremit të djathtë “Shqiponjat e Qendrës Ruso-Serbe” me qendër në Shën Petersburg.

Sipas hulumtimit të Radios Evropa e Lirë, grupi ka lidhje me partitë e krahut të djathtë në Serbi.

Aktivistët kundër luftës nga grupi “Rusët, ukrainasit, bjellorusët dhe serbët së bashku kundër luftës” thanë se i kanë dërguar një kërkesë publike policisë për të anuluar vendimin kundër Volokhonskyt.

“Kthimi i Vladimir Volokhonsky në Rusi sigurisht që do të nënkuptonte arrestimin e tij dhe burgosjen afatgjatë në kampet e punës, pasi të gjithë kundërshtarët e regjimit të [presidentit rus Vladimir] Putin kalojnë nëpër të njëjtin proces”, tha grupi.

Shoqëria Demokratike Ruse, e kërcënuar më parë me dëbim nga Serbia, është shprehur se mohimi i zgjatjes së lejes së qëndrimit të Vladimir Volokhonsky është një vazhdim i presionit të paligjshëm ndaj komunitetit rus kundër luftës në Serbi.

Më pak se dy javë më parë, Peter Nikitin u përball me një situatë të ngjashme kur atij iu refuzua hyrja në Serbi, pavarësisht se kishte një leje qëndrimi të vlefshme afatgjatë, është i martuar me një shtetase serbe dhe ka dy fëmijë të lindur në Serbi. Pasi kaloi dy ditë në aeroportin ndërkombëtar të Beogradit, atij iu lejua përfundimisht hyrja në vend më 14 korrik.

Volokhonsky tha se disa zyrtarë serbë po “e dëmtojnë Serbinë” dhe me këto veprime po krijojnë perceptimin se Serbia është një vend i pasigurt ku të drejtat nuk mbrohen në mënyrë adekuate, duke dekurajuar zhvendosjen.

“Por unë jam i bindur se nuk është kështu. Do të qëndroj këtu për një muaj dhe më pas ndoshta do të largohem nga vendi. Sigurisht, kthimi në Rusi nuk është një opsion, sepse atje do të arrestohem”, tha ai. /REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img