Ballkani do ta luajë sot ndeshjen e parë të rrethit të dytë kualifikues në Ligën e Konferencës.
Klubi kampion i Kosovës pas eliminimit nga raundi i parë i Ligës së Kampionëve, garat evropianë i vazhdon në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Sonte në “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45 suharekasit e presin ekipin nga Irlanda Veriore, Larne.
Ndeshja e kthimit do të luhet javën tjetër në Irlandën Veriore, teksa sonte Ballkani synon të marrë rezultat pozitiv.
E Ballkani e ka bërë një historik të shkurtër rreth kundërshtarit të tij të sontëm, FC Larne.
Ky është njoftimi i tyre, pa ndërhyrje:
FC Larne është skuadër profesioniste, qe garon në Ligën Premierë të Irlandës së Veriut. Është themeluar në vitin 1889, kurse edicioni i fundit, 2022/2023 është epoka më e suksesshme e këtij klubi, që arriti të shpallet për herë të parë kampion shtetëror. Në garat evropiane, kjo skuadër për herë të parë garoi në kualifikime të UEFA Konferencë Ligë, në edicionin 2021-2022, duke kaluar dy rrethet e para.Një vit më vonë nuk e kaloi rrethin e parë të Konferencës, kurse sivjet, luajtën duelin historik në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ku u eliminuan në vazhdime, nga finlandezët e Helsinkit.Stadiumi i Larnes quhet “Inver Park”, me një kapacitet prej 3000 tifozëve, kurse ngjyrat e tyre zyrtare janë e kuqja dhe e bardha. Ndeshjet ndërkombëtare, ky ekip i zhvillon në stadiumin Solitude, të qytetit Belfastit, i cili është kryeqyteti i Iralndës së Veriut, dhe ndodhet 36 kilometra nga Larne.