Mëngjesin e së shtunës, në rrugën “Jeton Dedushaj” në Pejë është dëgjuar një shpërthim te oborri i një shtëpie, ku në rrethanat dhe për motive akoma të panjohura është shkaktuar rrezik i përgjithshëm. Rasti është denoncuar në Polici nga dy qytetarë, të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se incidenti ka ndodhur në afërsi të shtëpisë së dy vëllezërve Pergjegjaj, të cilët e kanë raportuar rastin dhe kanë kërkuar intervenimin e Policisë.
Sipas informacioneve të para, Sinjali mëson se mjeti shpërthyes dyshohet të ketë qenë granatë dore që është hedhur te dera e viktimave dhe ka shkaktuar dëme materiale.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e hetimeve për ndriçimin e rastit.