Interi raportohet se po mendon seriozisht të dërgojë një ofertë në Atalanta për Rafael Toloin.
“Nerazzurrët” humbën dy mbrojtës këtë verë – Danilo D’Ambrosion dhe Milan Skriniarin. Ata kanë gjetur tashmë një zëvendësues, Yann-Aurel Bisseck, por është e qartë se nevojitet edhe një tjetër përforcim.
Interi kishte shprehur interesim për mbrojtësin tjetër të Atalantas, Merih Demiral, por pas bisedimeve fillestare mes klubeve u bë e qartë se një marrëveshje nuk do të ishte e lehtë për t’u arritur.
“La Gazzetta dello Sport” ka raportuar se Interi tani po mendon se një marrëveshje për Toloin do të ishte më e pëlqyeshme për Atalantan, kështu që tani “zikaltërit” po konsiderojnë dërgimin e një oferte.
32-vjeçari ka hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij me klubin nga Bergamo dhe nuk përjashtohet mundësia që të largohet këtë verë.
Ai vlerësohet se do të ishte i përshtatshëm për mënyrën se si luan ekipi i Simone Inzaghit.
Bazuar në “Transfermarkt”, reprezentuesi i Italisë në treg vlerësohet me 6 milionë euro.