Traumat që vijnë nga mjediset familjare dhe shoqërore, kushtet e jetesës, rrethanat ekonomike, depresioni e probleme të tjera shpesh janë vlerësuar shkaktarë që kanë çuar drejt vetëvrasje e tentimit për ta kryer këtë akt. Familjet janë ato që i përjetojnë jashtëzakonisht rëndë këto raste dhe janë me fat kur arrijnë t’i shpëtojnë familjarët.
Kështu ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme në Prizren, ku një grua 53 -vjeçare ka tentuar t’i jap fund jetës së saj, duke konsumuar medikamente për qetësim, që ia përkeqësuan gjendjen dhe për pasojë përfundoi në spital.
Këtë e kanë bërë të ditur burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës dhe kanë njoftuar se pasi viktima u dërgua në këtë qendër, Policia është vënë në dijeni, me ç’rast një njësi policore ka intervenuar për t’i marrë informacionet e para.
Sipas disa dëshmitarëve, motivi që e shtyu gruan për të tentuar vetëvrasjen ishte gjendja e rënduar emocionale pasi e kuptoi se djalin e saj e kanë dërguar në paraburgim lidhur me një rast për të cilin dyshohet.
Sinjali mëson se Policia ka kryer disa ekzaminime në vendin e ngjarjes, ndërkohë që pas mbledhjes së informacioneve të para, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vetëvrasje në tentativë’ dhe kanë nisur hetimet që zbardhin motivet dhe rrethanat e rastit.