-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Mustafa: Qeveria mund të rrëzohet me strategji më të fortë opozitare

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Qeveria Kurti mund të rrëzohet me një strategji të fortë opozitare.

Ndër të tjera, ai kritikon partinë në pushtet, kryeministrin Albin Kurti si dhe presidenten Vjosa Osmani.

Ish-kryeministri Isa Mustafa e quan trishtuese rrahjen e 13 korrikut në Kuvendin e Kosovës. Derisa thotë se ka parë përsëritje të skenave të pahijshme në Kuvend të vitit 2015, ai thekson se e e kishte të vështirë t’i arsyetonte ato në takime ndërkombëtare.

Mustafa thekson se dhunën në Kuvend, por edhe jashtë saj e ka instaluar Lëvizja Vetëvendosje me kohë dhe sipas tij, kjo është “sëmundje” që po trashëgohet.

“Po, skena ishte mjaft e rëndë, mos të them edhe trishtuese, sepse është shumë vështirë të shikosh skena të tilla në Parlament të Republikës së Kosovës, një Parlament i një vendit të ri…Krahas asaj skene, unë pash edhe në studio të ndryshme televizive përsëritjen ose dhënien e skenave, të cilat ndodhën në vitin 2015, në Kuvend. Atëherë, së pari me vezë e pastaj edhe me mjete tjera, me gaz lotsjellës, me sprej që ishte një gjendje shumë e rëndë. Unë e kisha shumë vështirë të arsyetojë ato sjellje edhe në takimet që kisha me përfaqësues të vendeve tjera, ose në takime ndërkombëtare dhe e kisha parasysh edhe këtë që ndodhi tani, sepse është vështirë që ta kuptojnë njerëzit jashtë, sepse këto ndodhin në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Çfarë kemi ne që nuk kanë tjerët, që mos gjejmë një mënyrë tjetër të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të brendshme apo të komunikimit të brendshëm në mënyrë demokratike, por duhet ta përdorim dhunën. Tani, mund të them se dhuna ka instaluar në Kuvend, por edhe jashtë Kuvendit, Vetëvendosja me kohë dhe kjo është një sëmundje që ne tani po trashëgojmë dhe uroj që të vetëdijesohemi të gjithë, në mënyrë që ajo të mos përsëritet edhe një herë ose të mos përsëritet të ardhmen, ashtu siç ndodhi. Para, para një jave.”, thotë ai për KosovaPress.

Ish-kreu i LDK-së thotë se ka qytetarë që nuk e kuptojnë situatën në vend. Sipas tij, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosja po bën propagandë, duke i paraqitur dështimet siç shprehet ai, si fitore të saj.

“Dhe vështirë është qytetari ta kuptojë situatën, në të cilën ndodhemi, për arsye se Vetëvendosja po bën një propagandë shumë të madhe. Me të gjitha dështimet po i pasqyron si fitore të saj dhe është problem te qytetari i fundit atje që ta kuptojë a është dështim apo është fitore, a është dështim që Qeveria e Kurtit tani po i vendos Njësitë Speciale në veri të vendi, po arreston njerëz, që po i quan kriminelë, edhe atë po dëgjojnë qytetarët dhe përkrahin apo nuk është, apo është fitore që Qeveria Kurti të merret vesh me komunitetin ndërkombëtar dhe gjitha ato veprimet t’i bëjë si veprime të koordinuara, të cilat pastaj janë stabile dhe të cilat neve na i hapin dyert që ne së bashku me amerikanët dhe me tjerët të ecim përpara ashtu siç zotëri Eskobar thoshte dje, themi nբ qoftëse qeveria do të i kryente detyrat e veta, themi Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të angazhohen edhe për njohje të Kosovës nga 5 vendet e Bashkimit Evropian, të cilat akoma nuk e kanë njohur.”, thotë ai.

Duke folur për opozitën e tanishme, ai thotë se në kohën kur ka qenë kryeministër, opozita e atëhershme është imponuar më shumë përmes dhunës sesa siç shprehet ai, ka pasur forcë.

Ai thotë se opozita duhet të ketë koordinim mes vete.

“Atëherë, ne kemi pasur mbi 80 deputetë, diku arrijshim 87 deputetë do të thotë, në atë periudhë, opozita ka qenë një minoritet i veçantë, mirëpo edhe ashtu siç ishte, opozita ka qenë shumë e gjallë, ka qenë shumë e zëshme, ka qenë shumë vepruese, mos të them edhe shumë e dhunshme, sepse përmes dhunës pastaj edhe është imponuar më shumë sesa që ka pas forcë. Unë tani nuk preferoj në asnjë moment që opozita tanishme të aplikojë dhunë në Kuvend ose format e dhunës, të cilat i ka aplikuar Vetëvendosja atëherë, të cilat kanë lënë pasoja, që duken edhe tani. Mirëpo, mendoj se ata duhet të jenë në koordinim mes veti për një strategji elementare si duhet ta ndjekë opozita. Kjo nuk nënkupton që dikush nga subjektet politike duhet të lëshojë programin e vet dhe të t’i bashkëngjitet një programi të subjektit tjetër. Por, në këtë rast, opozitarizmi duhet të ketë një zë të përbashkët në Kuvend, edhe të dinë këto subjektet politike se çfarë duan. S’mundemi të vimë në situatë që një herë dëshiron të bëhet një Qeveri e Unitetit Kombëtar edhe s’e di se si do të bëhet ajo qeveri.”, thotë ai.

Ish-kryetari i LDK-së potencon se Qeveria Kurti mund të rrëzohet me strategji më të opozitës, derisa thotë se qeveria duhet të implementojë marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit.

“Qeveria mundet m’u rrëzu, me një koncentrim dhe me një strategji kështu më të fortë të opozitës, të shoqërisë civile, opinionit. Por, unë mendoj se kjo qeveri së pari e ka për obligim t’i kryej detyrat e veta, kjo qeveri e ka bërë një marrëveshje të Brukselit, e ka bërë një marrëveshje të Ohrit, edhe kjo qeveri tani duhet, e ka përgjegjësinë që atë marrëveshje të implementojë. A është marrëveshje e mirë apo s’është e mirë, është punë tjetër, mirëpo është një obligim shtetëror që e ka marrë Republika e Kosovës dhe do të ishte e padrejtë që kjo qeveri tani ose të rrëzojë veten ose të rrëzojë dikush tjetër. Ndërkaq, obligimet që kanë marrë ndërkombëtarët mbesin obligim të dikujt që vjen pas.”, thotë ai.

Mustafa shprehet se marrëveshjet duhet të zbatohen dhe se kryeministri Kurti s’mund të krijojë incidente për t’i ikur obligimeve.

Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar do ta detyrojë Kurtin t’i implementojë obligimet.

“Unë mendoj që është në një moment tani kritik që ato marrëveshje duhet të përmbyllen, për arsye se vitin e ardhshëm fillojnë zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fillojnë zgjedhjet pastaj në institucionet e Bashkimit Evropian, s’merret kërkush me ne, s’di kush do të fitojë atje, qoftë në SHBA-të apo në Bashkimin Evropian. Këta kanë marrë përgjegjësi, sepse kërkush s’e ka lut Kurtin, eja bëhu kryeministër edhe konkurro për kryeministër, hyj në zgjedhje për kryeministër. Ai ka hy, edhe në moment që ka hy është dasht ta dijë se ka obligime ndërkombëtare, të cilat duhet t’i realizojë. I ka pëlqyer apo s’i ka pëlqy marrëveshja e 2013-ës është punë tjetër, e 2015-ës ose marrëveshje tjera, mirëpo ky është pajtuar në Ohër dhe në Bruksel se do ta bëjë implementimin e gjitha atyre marrëveshjeve dhe tani s’mund të krijojë incidente në teren, në veri apo në vende tjera për t’i ikur implementimit, sepse në komunitetin ndërkombëtar nuk lejon dhunë. Por, shoh që tani ngadalë-ngadalë po futen hallkë dhe do të detyrojnë që ky t’I implementojë këto obligime.”, thotë ai.

Gjatë intervistës për KosovaPress, Mustafa e quan skandal të paparë diplomatik faktin që kryeministri Kurti nuk e ka pritur në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Sipas tij, gabim nga Kurti është edhe mosprezenca në takim me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, që është mbajtur më 17 korrik në Tiranë.

“Unë konsideroj se z.Kurti ka bërë një skandal të paparë diplomatik, që nuk e ka pritur z.Rama kur ishte në Prishtinë, sepse kjo në asnjë rast, nuk do të duhej të ndodhte në relacion me Shqipërinë po edhe në relacion me vendet e jashtme…Mendoj se është një dobësi e madhe, dobësi njerëzore, mos të them kombëtare, se me këtë çështje po e teprojmë, por është çështje, e cila ne s’do të duhej që ta, të na kishte ndodh neve në Kosovë. E, tani gabimi i dytë, më i madh apo më i vogël, po është gabim trashanik është që ai nuk ka shkuar në Tiranë, në takim me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për Procesin e Berlinit. Sepse është edhe z.Kurti, i cili e ka mohuar, nuk e ka pranuar, e ka kundërshtuar Ballkanin e Hapur dhe ka thënë se ne e përkrahin vetëm në qoftëse e përkrah Procesin e Berlinit, pse nuk shkon në një takim punues, joformal të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë të bisedosh për Procesin e Berlinit, por shkon në simpoziume të partisë në Kretë, në Greqi që s’kanë lidhje as me interesin e gjerë publik në Kosovë, as me proceset evropiane dhe me proceset euroatlantike.”, thotë ai.

Krahas kritikave për kryeministrin Kurti, ish-kryeministri Mustafa ka kritika edhe për presidenten Vjosa Osmani.

Ai e kritikon Osmanin, e cila sipas tij, nuk po reagon për ndodhitë e fundit, “të cilat po rrezikojnë relacionet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Sipas tij, Osmani është distancuar nga veprimet e qeverisë.

“Është e pakuptimtë tani që ajo të thirret në personalitetin e Rugovës, të mbajë flamurin e Dardanisë, si flamur të Rugovës në zyrën e saj, mirëpo të mos e hap gojën edhe të mos e qet zërin për ndodhitë e fundit, të cilat po i rrezikojnë relacionet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e bazën e të cilave relacione i ka vënë presidenti Ibrahim Rugova. Unë s’e kam dëgjuar zërin e saj në asnjë rast, do të thotë që është distancuar nga sjelljet e qeverisë, nga veprimet e qeverisë për cenimin e këtyre marrëdhënieve ose për lëndimin e këtyre marrëdhënieve…A mundet Kosova që të ecë në rrugës së integrimit euroatlantik në të ardhmen pa një përkrahje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pa një përkrahje të Bashkimit Evropian. Dhe këtë përgjigje nuk e ka dhënë, do të thotë, ajo mundohet të japë disa sqarime ose disa deklarata, të cilat janë as mish as peshk, kështu të them në gjuhën e popullit, mirëpo ajo që mundohet të bëjë të ruajë pozitën e vet si presidente dhe mos të merrë kurrfarë përgjegjësie për këtë situatë, në të cilën kemi ardhur, që është situatë, vlerësoj shumë e rëndë tani, por me pasoja edhe më të rënda për të ardhmen.”, nënvizon ai.

Ndërsa, për takimet që ka pasur kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, Mustafa thotë se nuk ka pasur ftesë dhe nuk ka dashur që të përfshihet, pasi ka përfunduar punën dhe aktivitetin në LDK.

Ai shton se LDK duhet të ecë përpara dhe të gjejnë forma më të mira të komunikimit dhe me qytetarët dhe me anëtarët e LDK-së.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img