2.2 C
Pristina
Saturday, November 30, 2024

Buy now

spot_img

OJQ-të: Parlamenti vend i vlerave demokratike e jo i përleshjeve

Legjislatura aktuale në Kosovë është në nivelin më të ulët sa i përket përdorimit të gjuhës denigruese parlamentare. Kështu vlerësojnë përfaqësues të organizatave që merren me punën e Kuvendit, derisa theksojnë se kjo dukuri ka ekzistuar edhe në legjislaturat e kaluara, por që duhet të ndërmerren masa ndaj të gjithë deputetëve që kanë sjellje joparlamentare.

Fenomeni i gjuhës dhe sjelljes joparlamentare në Kuvendin e Kosovës, është vërejtur që kur ka filluar kjo legjislaturë, ndërsa muajt e fundit, kjo dukuri është shpeshtuar më shumë, vlerësojnë përfaqësues të organizatave joqeveritare që mbikëqyrin punën e Kuvendit.

Mexhide Demolli, nga Organizata FOL, tha për Radio Kosovën, se legjislatura aktuale në Kosovë është në nivelin më të ulët sa i përket përdorimit të gjuhës denigruese parlamentare.

“Fatkeqësisht është një prej legjislaturave, ku është përdorur më së shumti gjuhë joadekuate për vendin për të cilin është, pra është Kuvendi i Kosovës. E kemi parë që deputetët nuk e kanë minimumin e respektit sa i përket vendit ku janë. Është një vend ku duhet të mbizotëroj argumenti dhe jo një gjuhë ofenduese e sharje, derisa edhe grushta arritëm të shohim në seancat e fundit”, deklaroi ajo.

Ndërkohë, Violeta Haxholli nga Instituti për Demokraci, tha se vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjuhë denigruese parlamentare, ndërsa theksoi se kjo është bërë edhe më e rëndë kohët e fundit. Ajo foli edhe për masat ndëshkuese që i parashikon rregullorja e Kuvendit.

“Muajt e fundit është shpeshtuar shumë përdorimi i gjuhës joparlamentare. Fatkeqësisht, nuk ka pasur ndërmarrje të masave nga ana e kryetarit të Kuvendit. Sipas rregullores, janë deri në pesë masa, që kryetari mund t’i ndërmarrë ndaj deputetëve që përdorin gjuhë dhe sjellje joparlamentare. Në rastin e fundit ku pati edhe përleshje fizike, është tejkaluar edhe ajo që i parasheh rregullorja, është shkelur në mënyrë flagrante rregullorja dhe ligji për përgjegjësitë e deputetëve. Rregullorja parasheh vërejtjen me gojë, vërejtjen me shkrim, vërejtje për largim nga seanca, vërejtje për larim nga salla, e kështu me radhë”, tha ajo.

Organizatat dhe institucionet e tjera, kanë theksuar se Kuvendi i Kosovës si institucioni më i lartë i shtetit, duhet të shërbejë si vend ku promovohen vlerat e demokracisë, të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore, e jo të shndërrohet në arenë ku përplasjet dhe fyerjet të jenë normale.

Në vlerësimet paraprake që janë bërë për legjislaturat e kaluara nga gjuhëtarë, psikologë e analistë të ndryshëm, është thënë se deputetët nuk janë të përgatitur politikisht, nuk njohin rregullat e debatit, ndërsa u mungon kultura dhe edukata e punës. Sipas tyre, degradimi i fjalorit dhe sjelljes së deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ka thyer të gjitha rregullat e paraqitjes publike, si dhe ligjet në fuqi.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img