Në rrugën “Hilmi Zariqi” të lagjes Kodra e Trimave në Prishtinë, banorët po ankohen se kompania regjionale “Pastrimi” nuk e ka bërë grumbullimin e mbeturinave.
Sipas banorëve, kjo kompani zakonisht e bën grumbullimin e mbeturinave të premteve, mirëpo tashmë ka kaluar e premtja e dytë me kontejnerët e mbetur në rrugën kryesore, pa u shkarkuar.
Klan Kosova ka siguruar fotografi nga vendi i ngjarjes, nga ku mund të vërehen kontejnerët e mbushur me mbeturina, të cilët për shkak të temperaturave të larta të verës, po kundërmojnë erë.
Banorët në këtë lagje thonë se tashmë kanë kaluar nëntë ditë dhe punonjësit e kompanisë “Pastrimi” nuk janë parë në këtë lagje.
Klan Kosova ka provuar të marrë një përgjigje prej kësaj kompanie, mirëpo e njëjta nuk i është përgjigjur telefonatës.