Lista serbe ka kumtuar se në Mitrovicën e Veriut, me vendim të kryetarit të Komunës është ndaluar ndërtimi i banesave për familjet në nevojë sociale në këtë qytet, si dhe shkolla për fëmijët e kategorive të cenueshme, me qëllim, siç thonë ata, “të ngritjes së tensioneve dhe rrezikimin e qetësisë”.
“Një ditë pas negociatave në Bruksel, si rregull, regjimi i Albin Kurtit, në vend të deeskalimit, vazhdon me përshkallëzim dhe presione të mëtejshme ndaj “popullit serb” në veri të Kosovës dhe Metohisë”, pretendohet në kumtesën e Listës Serbe.
Ata shtojnë se vendimi për ndalimin e ndërtimit të shkollave dhe banesave është marrë në kohën kur në veri të Kosovës “në mënyrë të paligjshme po konfiskohet toka serbe dhe po ndërtohen baza ilegale për “njësitet parapolicore shqiptare”, gjë që shkel marrëveshjet nga Brukseli dhe të gjitha ligjet në fuqi!?”.
“Kjo konfirmon fjalët e djeshme të presidentit Vuçiq se ne jemi larg deeskalimit dhe se Prishtina nuk është e interesuar për de-eskalim të situatës në veri”, theksojnë ata.
“Me këtë vendim, regjimi i Kurtit vazhdon me përshkallëzimin dhe planin për të dëbuar serbët nga vatrat e tyre. Pas arrestimeve të pabaza, rrahjeve dhe frikësimeve të popullit tonë, sot përmes kryetarit të tij ka marrë vendim për ndalimin e ndërtimit të shkollave dhe banesave dhe ka dërguar edhe një mesazh tjetër se nuk dëshiron serb në Kosovë”, shtohet në kumtesë.
Ata theksojnë se shtrohet pyetja “nëse është kjo përgjigja e Kurtit ndaj thirrjes së përfaqësuesve ndërkombëtarë për de-eskalim të situatës në veri të Kosovës”, si dhe “nëse vendimi për ndalimin e ndërtimit të shkollave dhe banesave për qytetarët në nevojë është në përputhje me apelet e ambasadorëve të KUNIT-it se këta kryetarë të merren me çështje teknike dhe administrative”.
Ata theksojnë se këto vendime “shkaktuan shqetësim shtesë tek qytetarët, sepse kërcënojnë të drejtat elementare të njeriut”./Paparaci.com