Agjencia për Menaxhimin Emergjent (AME) ka dalë me një paralajmërim për zjarre të mundshme në vend.
AME u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe vigjilent, të kontribuojnë në shuarjen e zjarreve si personalisht, ashtu edhe përmes kontaktimit të numrave emergjent.
Apeli i AME:
Agjencia e Menaxhimit Emergjent / Ministria e Punëve të Brendshme iu drejtohet qytetarëve për aktivizim në parandalimin e zjarrvënieve në pyje dhe hapësira tjera, publike dhe private përmes këtij apeli.
“Të nderuar qytetarë, meqenëse kemi hyrë në sezonin e verës që supozohet se do të karakterizohet me temperatura të larta të ajrit të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura, malore dhe fushore e me qëllim të evitimit të rrezikut nga zjarri, mbrojtjes të jetës së qytetarëve, të pronës, shtazëve dhe ambientit,
APELOJMË, të jemi të gjithë të kujdesshëm dhe vigjilent për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, vërejtjen dhe lajmërimin me kohë në numrat emergjent, si dhe të ndihmojmë në shuarjen e zjarrit” kudo që ai mund të paraqitet dhe kërcënon, pasi që për një veprim të tillë përveç tjerash na obligon edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës si dhe aktet tjera ligjore dhe nënligjore.
Vlen të theksohet dhe t’iu bëhet e ditur se zjarrvëniet e qëllimta, si dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia, janë vepër penale të cilat sanksionohen me ligj.
E rëndësishme, në rast se hasni në ndonjë rast dyshimi për rrezik nga zjarri numrat emergjent në të cilët ju duhet të drejtoheni dhe t’i informoni por edhe ndihmë të kërkoni pa pagesë 24/7 janë:
112 Qendra Operative Emergjente nga VALA dhe IPKO (pa pagesë), 193 zjarrfikësit, 192 Policia dhe 194 Shërbimi Mjekësor Emergjent.
Paralajmërim i hershëm – veprim i hershëm, shpëton jetë dhe ambientin e përbashkët për të gjithë.