I dërguari i Shtetetve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar u pyet në Kongresi për angazhimin amerikan për t’i bërë pesë vendet e Bashkimit Europian që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Escobar gjatë raportimit në Kongres tha se është në kontakt të vazhdueshëm me Spanjën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron dhe se aspirata më e lartë e Administratës Biden është që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, e Bashkimit Europian dhe ta sigurojë një ulëse në OKB. Ai përmendi planin për një fushatë globale për njohjen e Kosovës këtë vit, gjë për të cilën tha se s’po e merr atë që duhet nga Qeveria e Kosovës.
Escobar tha se pesë vendet e BE-së që s’e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës kanë disa kërkesa për të cilat ai tha se po përpiqet ta bind Qeverinë e Kosovës që t’i plotësojë.
“Tani për disa nga vendet nuk mund ta njohin për shkak të mungesës së një marrëveshjeje dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të tjerat nuk e njohin shpalljen e njëanshme të pavarësisë, kështu që unë do të doja të shihja një marrëveshje për normalizimin”, tha ai.
Diplomati amerikan e konsideroi marrëveshjen e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si “mundësinë më të madhe në 15 vjet”.
Ai foli për nevojën e një fushate jo vetëm rajonale e europine, por për një fushtatë globale të njohjeve për Kosovën, në rast se ajo i përmbush obligimet e saj, si formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në këtë çështje, Escobar tha se s’po e sheh të rreshtuar Qeverinë e Kosovës.
“Tani ajo që shumica e këtyre vendeve do të dëshironin të shihnin është se ato do të dëshironin të shihnin vullnetin e mirë nga Kosova në përmbushjen e pjesës së saj të marrëveshjes”, tha Escobar, duke vënë theksin te formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe “me mbështetjen amerikane në mënyrë që të mos e cenojë Kushtetutën dhe strukturën ligjore apo funksionalitetin” e shtetit.
“Deri më sot nuk e kam marrë atë zotim nga Qeveria e Kosovës”, tha Escobar.